Davos, një qytet-resort alpin në Zvicër  dhe shqiptarët (vdeo)
Rajoni dhe Politika

Davos, një qytet-resort alpin në Zvicër dhe shqiptarët (vdeo)

29.Jan.2023 08:37
0

Një raportim special nga qyteza zvicerane, e njohur për samitin ku mblidhen të pushtetshmit e botës, por edhe një vend ku bashkëkombësit tanë kanë histori për të treguar.

Davos, një qytet-resort alpin në Zvicër në lartësinë e 1560 metrave mbi nivelin e detit, më i larti në Europë, që mbledh prej mbi pesë dekadash liderët e shteteve dhe kompanive më të fuqishme nga e gjithë bota. Takimi i këtij viti, pas një periudhe pandemie që ngjau si një përjetësi, tërhoqi edhe më shumë vëmendje nga elitat.

 

Edhe pse nga G8, grupi i ekonomive më të pasura, do të ishte vetëm Gjermania dhe nga njerëzit më të pasur do të ishte vetëm indiani Gautam Adani, i treti në listën e miliarderëve, theksi i Forumit Ekonomik Botëror nuk u zbeh aspak, teksa 2700 pjesëmarrës të profilit të lartë konfirmuan pjesëmarrjen. Në fakt bileta e anëtarësisë për një përfaqësues kompanie shkon deri në 120 mijë dollarë, një kosto e arsyeshme për të qëndruar me 0.01% e botës.

Por krerët e shteteve mund ta përfitojnë këtë eksperiencë pa pagesë, ndaj sigurisht që interesi nga Ballkani ishte shumë i madh, me Ramën, Kurtin, Vuçiç, Abazoviç, Pendarovksi dhe Borjana Kriston, tashmë në avion rrugës për në Zvicër.

 

Natyrshëm, ne të A2 CNN, nuk mund të humbisnim rastin për të mbuluar të gjitha takimet, konferencat e planifikuara dhe zhvillimet nga Forumi. Dhe për të parë se sa pranë është Shqipëria me këtë botë të pasurish, vendosëm të shkojmë nga Tirana, me avionin e parë, që në fakt kalonte përmes Stambollit.

 

Pas ribashkimit me valixhet, ishte koha për të marrë trenin, drejt, jo Davosit, por Churit, sepse të gjithë hotelet në një rreze prej 30 kilometrash ishin prenotuar. Davosi në fakt pret në 5 ditë, po aq turistë sa në të gjithë 360 ditët e tjera të vitit. Një fat të keq me akomodimin e kishte edhe Vuçiç, i detyruar të qëndrojë jo vetëm larg, madje në një hotel me flamurin e Shqipërisë së Madhe.

Në tren takojmë Rafet Salihun, një shqiptar që punon në vagonin restorant, i cili na dalloi që përpara se të flisnim edhe një fjalë shqip. Rafetin pranon ta pyesim më shumë për Zvicrën dhe përvojën e pikëpamjet e tij. “Vij nga Gjilani”, thotë ai. “Jam i kënaqur nga jetesa. Jam martuar këtu, gruaja ka qenë para meje. Kam tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë”. E pyesim nëse Shqipëria mund të bëhet dot si Zvicra? “Mund të bëhet Zvicër me det”, thotë ai. Teksa Rafeti iu kthye punës së tij, treni mbërriti në Chur, ku do të qëndrojmë një natë.

 
Rafet Salihu, një shqiptar që punon në vagonin restorant të trenit për në Davos

Me të mbërritur në Davos, gjëja e parë që na bëri përshtypje, krahas temperaturës -9 gradë celsius, ishin masat e rrepta të sigurisë. Natyrshëm duke konsideruar se krerët e botës po diskutonin për Luftën në Ukrainë, klimën, taksat dhe utopinë teknologjike që na pret.

Në ditët që i paraprinë Forumit, një raport i përgatitur enkas vlerësonte sigurinë kibernetike, si një nga rreziqet më të mëdha që i kanosen Shqipërisë. Dhe kryeministri Rama do të fliste në dy panele të ndryshme për eksperiencën e hidhur të vendit me sulmet nga Irani. Sipas kryeministrit ndërtimi i mburojës kibernetike kërkon kohë dhe mbi të gjitha shumë fonde.

Dhe në takimet gjatë ditëve të Forumit, Shqipëria lidhi një marrëveshje bashkëpunimi me Izraelin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes kibernetike.

Agjendën e mbledhjeve për liderët e Ballkanit e dominoi dialogu Kosovë-Serbi, me foton tashmë historike të presidentit serb që rrinte i mënjanuar në radhë të dytë. Megjithatë, liderët e rajonit zhvilluan takime premtuese me shumë investitorë potencialë nga i gjithë globi. Më i suksesshmi në këtë drejtim në dukje ishte kryeministri malazez Dritan Abazovic, në biseda për bashkëpunim në fushën e gazifikimit, infrastrukturës aeroportuale, arsimit, shërbimeve digjitale, e deri tek krijimi i një kriptovalute zyrtare për Malin e Zi.

E ndërsa liderët zhvillonin takime të profilit të lartë, me ide të qarta, ne vendosëm të pyesim disa nga delegatët e kompanive më të fuqishme në botë, se si mund të ndihmohej Shqipëria.

Në rrugët e Davosit, njerëzit janë të lumtur, dhe duket se paraja e blen lumturinë në fund të fundit. Por çuditërisht janë shumë të interesuar për ushqimet dhe pijet që shpërndajnë falas kompani të ndryshme. Para që duhet t’i kursejnë ku të munden, duke konsideruar se prostitutat tarifonin 2500 dollarë nata prej kërkesës së lartë.

Zgjedhim që këta individë nga bota e financës së lartë, t’i pyesim se sa e njohin Shqipërinë dhe çfarë mund të bëjmë për të zhvilluar ekonominë tonë.

-Hera e parë në Davos?

-Hera e tretë. Po vij nga Nju-Jorku.

-Pse keni interes të jeni këtu?

-Është konferenca më me ndikim që ekziston. Ka investitorë potencialë, klientë potencialë, partnerë të mundshëm nga gjithë bota. Ndaj s’ka vend më të mirë se ky.

-Mendoni se Shqipëria është tërheqëse për këta investitorë?

-Unë nuk di shumë për Shqipërinë, por nëse ka mundësi investimi të mira, nëse e keni informacionin dhe të dhënat, do të vinin me kënaqësi në Shqipëri.

-Ju besoj synoni fitimin në radhë të parë?

-Jo, nuk është e vërtetë. Jo vetëm fitimi. Sot flasim për impakt. Impakt social, qëndrueshmëri, të gjithë këta faktorë janë të rëndësishëm. Sot është gjithmonë e më shumë për impakt, njerëzit s’duan më vetëm fitime.

Ndërsa krejt të kundërtën na thanë këta gazetarë britanikë, që nuk kishin aspak mendim pozitiv për Forumin.

-Nga jeni?

-Nga Britania, jemi media të ndryshme.

-Hera e parë këtu?

-Hera ime e parë

-Edhe unë hera e parë. Ne duam të flasim me elitat botërore, duam t’i pyesim se pse janë hipokritë praktikisht.

-Për mua temat më të rëndësishme janë klima dhe kriptovalutat. Të dyja çështje që më shqetësojnë. Sepse klima është bërë një kult, një besim i elitës. Ndërsa kriptovalutat janë një rrugë drejt skllavërisë ndaj duhet ta shmangim me çdo kusht.

-Ne vijmë prej Shqipërisë dhe këtu ka përfaqësues të shtetit në kërkim të mundësive dhe për të tërhequr investitorë.

-A ka mbetur më njeri në Shqipëri?

-Të gjithë kanë ardhur në vendin tonë.

-Në bazë të çka dini, si mund të arrijnë shqiptarët sukses dhe rritje ekonomike, që të jetë e ndjeshme tek njerëzit, në mënyrë që të mos ta kenë të nevojshme të emigrojnë në Angli?

-Ndalni largimin e të rinjve tuaj. Mbajini atje për të rritur vendin. Nëse të gjithë të rinjtë e braktisin vendin, kush do ta ndërtojë?

-Mos kini fare të bëni me njerëzit këtu. Njerëzit këtu nuk e kanë interesin e shteteve sovrane. Këtu ata duan një qeveri botërore, duan që çdo gjë të jetë e njëjtë për të gjithë, një politikë për një prerje për të gjithë. Por siç historia ka treguar, nuk funksionon.

Megjithatë, këshillën më të mirë na e dha ukrainasja Olga Afanasyeva, një pjesëmarrëse e rregullt në Davos.

Unë jam nga Ukraina. Ndaj problemet me të cilat ju përballeni janë shumë familjare për mua. Unë para luftës kam qenë drejtoresha ekzekutive e Shoqatës së Fondeve të Investimit, ndaj punoja me investitorë. Ajo çfarë na ndihmoi ne dhe çfarë po na ndihmon ende është të përhapim fjalën për mundësitë e investimit, se si vendi mund t’ i sjellë para financuesve. Sepse në fund të ditës nuk flitet për bamirësi, por për investim. Ndaj duhet argumentuar se si mund t’u sjellë fitime këtyre njerëzve që investojnë para, por edhe se si mund të zgjidhë probleme botërore. Praktikisht ky është mendimi im.

Olga Afanasyeva, Eksperte e investimeve dhe inovacionit, Ukrainë

Ndërsa shpenzuam mjaftueshëm kohë duke u shpjeguar të huajve se ku ndodhej Shqipëria, Forumi vazhdonte.

Në mbrëmje, Rama e Vuçiç, do të flisnin për nismën e re të Komunitetit Politik Europian, si një mekanizëm për të përfshirë në vendimmarrje të gjithë kontinentin. Por gjatë bisedës këmbëngulën në objektivin e tyre për të bindur përfaqësuesit e Bashkimit Europian të përshpejtonin procesin e integrimit dhe të rrisnin mbështetjen me fonde direkte për të investuar në ekonomi.

Ne jemi besnikë ndaj Perandorive. Ndaj çfarëdo që të ndodhë do t’i qëndrojmë Bashkimit Europian. Edhe nëse Bashkimi Europian do të zhduket, ne do të jemi atje. Sa më shumë qëndrojmë jashtë, aq më shumë më dhimbset BE-ja dhe aq më shumë mendoj se Bashkimi Europian e ka gabim. Procesi i anëtarësimit ka ndryshuar tërësisht, totalisht. është bërë gjëja më neurotike dhe e padrejtë. Por pa BE-në, vendet e Ballkanit nuk do të kishin një të ardhme, sepse BE-ja  është burimi i vetëm i njohurisë sesi të ndërtojmë institucione, shtete demokratike, e kështu me radhë. Por, nëse, do të rezervonin të njëjtin trajtim për vetë anëtarët e BE-së, po ju them, që jo Malta, por më shumë se gjysma e vendeve anëtare nuk do të mund të hynin dot më në BE. E pamundur, dhe nuk po flas për vendet ish-komuniste, po flas për themelues, më besoni.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë

Në përfundim të forumit, pranojmë me kënaqësi ftesën e Rafetit për t’u takuar me shqiptarë të tjerë që jetojnë në Zvicër. Sipas statistikave zyrtare, rreth 3.2% e popullsisë prej 8.7 milionë banorësh në shtëpitë e tyre flasin gjuhën shqipe. Kjo do të thotë se janë së paku 280 mijë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, lugina e Preshevës dhe Shqipëria, që jetojnë në kantonet helvete.

Në lokal ne takojmë dhjetëra shqiptarë që jetojnë në Chur dhe mblidhen çdo natë, për t’u argëtuar, kënduar, diskutuar për politikë, ekonomi e veçanërisht çështje që kanë të bëjnë me atdheun.

Agim Mustafa është pronari i këtij biznesi, që nuk ngurron të shprehë më krenari se në fundjavë ka edhe më shumë shqiptarë nga të gjitha trojet që bëhen bashkë. Agimi ka ardhur në Zvicër si refugjat, e ta tregon historinë e tij si një ish-kampion boksi.

“Kam ardhur në vitin 1989, si azilkërkues”, tregon ai. “Kam ardhur në Zvicër, kam punuar, jam marrë me boks, në vitin 1994 jam shpallur kampion i Zvicrës. Më kanë përkrah shumë shqiptarët, por edhe zviceranët. Më kanë ardhë oferta, për të ndërruar mbiemrin, u kam thënë jam shqiptar, nuk e shes për pare emrin, mbiemrin ose vendin tim, kurrë! Jam shumë krenar që jam shqiptar dhe kudo që shkoj them që jam shqiptar”.

Agim Mustafa

Krenarinë e shqiptarit na e shpreh edhe Imit Istrefi, nga Veleshta e Strugës. Qëkurse ka ardhur në Zvicër, Imiti është angazhuar me aktivitete kulturore dhe çështje patriotike. “Jemi të gjithë si familje të gjithë, por kulturën tonë nuk e humbim”, na thotë Imiti.

Shqiptarët këtu i kanë ndjekur me shumë vëmendje zhvillimet e Forumit të Davosit. Nuk ndodh shpesh që krerët e Shqipërisë e Kosovës të vijnë fare pranë aty ku ata jetojnë. Të gjithë kanë ardhur si refugjatë dhe emigrantë me idenë se një ditë do të mund të ktheheshin në atdhe, por sa më shumë kohë kalon, kjo ëndërr u duket gjithmonë e më e pamundur.

Për këtë arsye ata kanë disa këshilla për politikën shqiptare dhe mënyrën se si duhet të zhvillohen trojet tona. “Ka shumë shqiptarë në diasporë, sidomos Zvicër, Gjermani, Austri, duhet t’ua bësh kushtet që të vijnë të financojnë”, thotë Agim Mustafa. “Shpresat janë për t’u kthyer në vendlindje. Edhe fëmijëve ua them”, tregon Imit Istrefi. “Të marrin prej diasporës këshilla që ta bëjnë edhe vendin tonë si Zvicra. Kemi një vend të jashtëzakonshëm, me gjithë të mirat”.

Bisedat me shqiptarët i vazhdojmë deri në orët e para të mëngjesit, duke i shpëtuar tundimit për të emigruar në Zvicër. Në mëngjes, pas një sërë trenash, kthehemi në aeroportin e Zyrihut për të bërë rrugën e kthimit./a2cnn/

copy(/home/titulli/public_html/images/image/avos.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Gazeta zvicerane: BE-ja i ka dërguar gjysmë ultimatum Serbisë për Kosovën
Bildt: Propozimi evropian, marrëveshje e drejtë për Kosovën dhe Serbinë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration