DASH i zhgënjyer me mungesën e përparimit në dialog Kurti-Vuçiq në Bruksel
Departamenti amerikan i Shtetit, në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë, shprehu zhgënjim që nuk u arrit ndonjë përparim në rundin e ri të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
"Presim që të dyja vendet t’i marrin seriozisht obligimet e tyre me Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, që kanë arritur më herët këtë vit. Koha po kalon. Ne duam të shohim përparim në obligimet ekzistuese dhe të mëparshme, të ndërmarra në dialog dhe me Marrëveshjen e Ohrit, duke përfshirë këtu themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe", tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për REL-in.
"Ne do të konsultohemi brenda dhe me partnerët tanë evropianë për hapat e ardhshëm", tha ai.
Sipas tij, dialogu i lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara për Kosovën dhe Serbinë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan të enjten në Bruksel me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Takimi, që kishte në agjendë zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve, nuk prodhoi ndonjë rezultat, tha Borrell.
Sipas tij, ishte Kurti ai që nuk e pranoi propozimin e BE-së për zbatimin e njëkohshëm të obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje, ndërsa Vuçiq e pranoi.
Borrell tha se Kurti këmbënguli që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia, kurse Vuçiq kërkoi themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Kurti "nuk ka qenë i gatshëm që të ecë përpara me fillimin e një procesi të besueshëm për themelimin e Asociacionit", tha Borrell.
Kurti dhe Vuçiq, në konferenca të ndara për media, akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve nga takimi.
Kurti tha se "kushtëzimi i Serbisë" për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe "është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së".
Sipas Vuçiqit, Kurti, thjesht, "i shmanget formimit të Asociacionit... ky është thelbi i gjithçkaje"./REL/
copy(/home/titulli/public_html/images/image/urti-vucic-bruksel-23.jpg): failed to open stream: No such file or directory