Çfarë është zgjidhja me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez, historiku? (video)
Reuters
Lufta në Gazë ka rikthyer vëmendjen te zgjidhja me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez, që nga shumë shtete shihet si rrugë drejt paqes, edhe pse procesi i negociatave për këtë çështje ka ngecur tash e një dekadë.
Më shumë se shtatë muaj që nga nisja e luftës më vdekjeprurëse mes izraelitëve dhe palestinezëve, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk ka mënyrë për t'i zgjidhur çështjet e sigurisë së Izraelit dhe sfidat e rindërtimit të Gazës, pa bërë hapa drejt një shteti palestinez.
Më 22 maj, Irlanda, Spanja dhe Norvegjia njoftuan se do ta njohin shtetin palestinez për të ndihmuar në dhënien fund të luftës, për t'i liruar pengjet dhe për t'i ringjallur bisedimet e paqes. Këto tri shtete thanë se shpresojnë që edhe shtetet e tjera perëndimore do ta ndjekin shembullin e tyre.
Autoriteti Palestinez, që ka pushtet të kufizuar në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, mirëpriti vendimin e tri shteteve evropiane. Ndërkaq, Izraeli tërhoqi ambasadorët e tij në shenjë proteste, duke thënë se lëvizje të tilla mund të rrezikojnë sovranitetin dhe sigurinë e tij.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ai nuk do të bëjë kompromis për kontrollin e plotë të sigurisë izraelite në perëndim të Jordanisë dhe kjo, sipas tij, është kundërshtim me një shtet sovran palestinez. Për Netanyahun, një shtet palestinez do të paraqiste “rrezik ekzistencial” për Izraelin.
Për një kohë të gjatë është penguar zgjidhja me dy shtete, e cila parasheh shtetin izraelit dhe atë palestinez përkrah njëri-tjetrit.
Këtu përfshihen vendbanimet hebreje në tokat e pushtuara, që palestinezët kërkojnë të jenë pjesë e shtetit të tyre në të ardhmen, dhe ka qëndrime për të cilat nuk ka kompromis për çështjet kyçe, përfshirë kufijtë, për fatin e refugjatëve palestinezë dhe statusin e Jerusalemit, një qytet antik, i shenjtë për të dyja palët.
Ku e ka origjinën zgjidhja me dy shtete?
Konflikti ndodhi në Palestinën që sundohej nga britanikët, mes arabëve dhe hebrenjve të cilët kishin migruar në atë zonë, duke kërkuar një shtëpi për kombin e tyre pasi ikën nga përndjekja në Evropë dhe duke u thirrur në lidhjet biblike me këtë tokë.
Më 1947, Kombet e Bashkuara u pajtuan për planin për ndarjen e Palestinës në shtete arabe dhe hebreje, me një sundim ndërkombëtar mbi Jerusalemin. Liderët hebre e pranuan planin, që u dha atyre 56 për qind të tokës. Liga Arabe e refuzoi.
Shteti i Izraelit u shpall më 14 maj 1948. Një ditë më vonë, pesë shtete arabe e sulmuan. Lufta përfundoi me Izraelin që mori nën kontroll 77 për qind të territorit.
Afër 700.000 palestinezë u zhvendosën apo u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Ata përfunduan në Jordani, Liban, Siri, por edhe në Rripin e Gazës, Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.
Në luftën e vitit 1967, Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor, përfshirë Jerusalemin Lindor nga Jordania dhe Gazën nga Egjipti, duke siguruar kontrollin e të gjitha territoreve nga Mesdheu deri në Luginën e Jordanisë.
Palestinezët mbetën pa shtet dhe shumica e tyre jetojnë nën pushtimin izraelit apo si refugjatë në shtetet fqinje. Disa – kryesisht pasardhësit e palestinezëve që qëndruan në Izrael pas krijimit të këtij shteti – kanë shtetësi izraelite.
A ka qenë ndonjëherë afër arritja e një marrëveshjeje?
Zgjidhja me dy shtete ishte thelbi i procesit të paqes i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, që nisi nga Marrëveshja e Oslos në vitin 1993, e cila u nënshkrua nga Yasser Arafat nga Organizata për Çlirimin e Palestinës (PLO) dhe kryeministri izraelit, Yitzhak Rabin.
Kjo marrëveshje bëri që PLO-ja të njihte të drejtën e Izraelit për të ekzistuar dhe të hiqte dorë nga dhuna. Pakti po ashtu mundësoi krijimin e Autoritetit Palestinez. Palestinezët shpresonin se ky do të ishte një hap drejt shtetit të pavarur të tyre, me kryeqytet Jerusalemin Lindor.
Por, procesi u refuzua nga të dyja palët.
Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – ka kryer sulme vetëvrasëse që kanë vrarë shumë izraelitë dhe më 2007, ky grup mori nën kontroll Gazën nga Autoriteti Palestinez pas një lufte të shkurtër civile. Karta e Hamasit, e vitit 1988, avokon për shkatërrimin e Izraelit edhe pse vitet e fundit ky grup ka thënë se do të pranojë një shtet palestinez me kufijtë e vitit 1967. Izraeli ka deklaruar se ky ndryshim i qëndrimit të Hamasit është mashtrim.
Në vitin 2000, presidenti i atëhershëm amerikan Bill Clinton, kishte mbledhur në Kampin David Arafatin dhe kryeministrin e asaj kohe të Izraelit, Ehud Barak, për të arritur një marrëveshje. Por, përpjekja e Clintonit dështoi.
Fati i Jerusalemit, që Izraeli e konsideron kryeqytetin e tij “të përjetshëm dhe të pandashëm”, është pengesa kryesore.
Konflikti u përshkallëzua me Intifadën (kryengritjen) e dytë palestineze më 2000-2005. Administratat amerikane kanë tentuar të ringjallin procesin e paqes, por pa sukses. Përpjekja e fundit dështoi në vitin 2014.
Si do të mund të dukej një shtet palestinez?
Avokuesit e zgjidhjes me dy shtete kanë paraparë një Palestinë në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor, të lidhur me një korridor që kalon përmes Izraelit.
Dy dekada më vonë, detajet se si do të mund të funksiononte një zgjidhje e tillë u prezantuan në një plan nga ish-negociatorët izraelitë dhe palestinezë.
E njohur si Marrëveshja e Gjenevës, parimet e këtij plani përfshijnë njohjen e lagjeve hebreje të Jerusalemit si kryeqytet izraelit, dhe njohjen e lagjeve arabe si kryeqytet palestinez. Po ashtu, aty përfshihet edhe çmilitarizimi i shtetit palestinez.
Izraeli do të aneksonte vendbanime të mëdha dhe do të dorëzonte kontrollin e tokave të tjera në një shkëmbim territoresh, si dhe do të zhvendoste jashtë territorit sovran palestinez kolonët hebrenj.
Sa të mëdha janë pengesat?
Pengesat janë rritur me kalimin e kohës.
Përderisa Izraeli tërhoqi kolonët dhe ushtarët nga Gaza më 2005, vendbanimet izraelite u zgjeruan në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor. Popullsia në këto vendbanime u rrit nga 250.000 sa ishin më 1993 në 695.000 tri dekada më vonë, sipas organizatës izraelite, Paqe Tani. Palestinezët kanë thënë se kjo minon bazën e një shteti të qëndrueshëm.
Gjatë Intifadës së dytë, Izraeli po ashtu ndërtoi atë që e ka përshkruar si barrierë për të ndalur sulmet palestineze. Palestinezët e quajnë vjedhje të tokës.
Autoriteti Palestinez i udhëhequr nga Mahmoud Abbas administron pjesë të tokës në Bregun Perëndimor, që janë të rrethuar nga një zonë e kontrollit izraelit që përbën 60 për qind të territorit, përfshirë kufirin jordanez dhe vendbanimet – kushte të përcaktuara në Marrëveshjen e Oslos.
Situata është ndërlikuar edhe më shumë nga politikat e brendshme. Qeveria e Netanyahut është ekzekutivi më i djathtë në historinë e Izraelit dhe përfshin nacionalistët fetarë, të cilët kanë mbështetjen e kolonëve. Vitin e kaluar, ministri i Financave, Bezalel Smotrich, tha se nuk ka popull palestinez.
Hamasi fitoi zgjedhjet në vitin 2006 dhe një vit më vonë dëboi nga Gaza forcat besnike ndaj Hamasit, duke fragmentuar edhe më shumë palestinezët.
A ka një rrugë përpara?
Çështja e parë dhe më e menjëhershme ka të bëjë me fatin e Gazës.
Izraeli synon të shfarosë Hamasin dhe ka thënë se nuk do të pajtohet me asnjë marrëveshje që e lë grupin në pushtet në Gazë. Netayahu ka thënë se Gaza duhet të çmilitarizohet dhe të jetë nën kontrollin e plotë të sigurisë të Izraelit.
Ai ka thënë se nuk dëshiron që Izraeli të qeverisë me Gazën apo të rivendosë vendbanime atje.
Hamasi ka thënë se pret që të mbijetojë, duke theksuar se çdo marrëveshje për Gazën, që e përjashton grupin, është iluzion.
Përgatiti: Mimoza Sadiku-REL
copy(/home/titulli/public_html/images/image/alestina-flamuri.jpg): failed to open stream: No such file or directory