
Bislimi pret në takim Kamberin, flasin për pozitën e shqiptarëve në Luginë
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka pritur sot në takim Shaip Kamberin, deputetin e zgjedhur shqiptar nga Lugina e Preshevës në Kuvendin e Serbisë.
Bislimi ka thënë se me deputetin e vetëm shqiptar në parlamentin serb, Shaip Kamberi, kanë diskutuar mbi zhvillimet aktuale me theks të veçantë në pozitën e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
“Bashkëpunimi i vazhdueshëm është i rëndësishëm për adresimin e shtypjes e diskriminimit sistematik me të cilin ballafaqohen bashkatdhetarët tanë”, ka shkruar Bislimi në një postim në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.
“Përkushtimi dhe angazhimi i qeverisë vijon të jetë produktiv edhe gjatë këtij viti ku kemi ndarë 3 milionë euro për Luginën, mbështetje financiare kjo më e madhe për 50%, një milion më shumë sesa viti 2023, me qëllim mbështetjen e pakusht në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kombëtar, traditave, kulturës e gjuhës”, ka thënë Bislimi.
Shaip Kamberi ka shkruar se bashkëbisedoi për intensifikimin e bashkëpunimit, qasjen programatike dhe përforcimin e mekanizmave të mirësistemuar kundër shtypjes dhe diskriminimit nga Beogradi.
Në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 17 nëntor në Serbi, Kamberi ka fituar edhe një mandat të deputetit në Kuvendin e Serbisë.