BIPBM Përgëzon strukturat e reja udhëheqëse në Bujanoc në Preshevë
Bashkësia Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në krye me Myftiun Nexhmedin ef. Saqipi, përgëzon konstituimin e kuvendit komunal në Bujanoc, i dalë nga zgjedhjet e 24 prillit 2016.“Koalicioni Qeverisës në Bujanoc, në krye me Shaip Kamberin, ish deputet republikan, ish kryetar komune dhe ish veprimtar i shquar i të drejtave të njeriut në Luginë, do të jetë një shembull i mirë i komunikimit me qytetarët, subjektet politike, opozitën, shoqëritë civile, mediat etj. për një pushtet me dinjitet, transparent dhe stabil”, thuhet në kumtesën e lëshuar nga BIPMB.
Të njëjtin përgëzim Myftiu e ka edhe për koalicionin qeverisës në Preshevë, të cilët i dëshiron suksese, në ndarjen e pushtetit dhe strukturimin e kuadrove, të cilat si prioritet të parë duhet të kenë profesionalizmin, madje politikën.
Sipas të njëjtës kumtesë qytetarët e Luginës, me pedantëri dhe me një kulturë të lartë politike, e dhanë votëbesimin për të zgjedhurit e tyre, të cilët do të angazhohen që me përgjegjësi t’i përfaqësojnë në institucionet komunale dhe shtetërore.
BIPMB vlerëson se qytetarët e Luginës, gjithashtu, presin nga pushtet e reja lokale dhe nga deputeti republikan, angazhim dhe përkushtim maksimal, në shtrimin dhe realizimin e kërkesave të tyre legjitime, për më shumë të drejta në Luginë të Preshevës.
Bashkësia Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke i përgëzuar strukturat e reja komunale, kërkon nga ato bashkëpunim dhe bashkëveprim edhe me krerët e opozitës, të cilët duhet të jenë konstruktiv, duke lënë anash inatet, smirën e shantazhet, ndonëse ata kanë të drejtë të hidhërohen, po assesi t’i bllokojnë institucionet e dala nga vota e lirë dhe proceset për një shoqëri të hapur, demokratike e prosperuese./Titulli.com/