
Avokati nga Beogradi i drejtohet Parlamentit Evropian për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë
Avokati nga Beogradi, Lluka Jovanoviq, i cili përfaqëson disa qytetarë të prekur nga pasivizimi i adresave në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ka paralajmëruar për një praktikë shumëvjeçare që ai e përshkruan si diskriminim sistematik ndaj komunitetit shqiptar në Serbi. Me këtë rast, ai i është drejtuar edhe Parlamentit Evropian.
Në një intervistë për RTK-në, avokati Jovanoviq thekson se praktika e pasivizimit të adresave i lë mijëra njerëz pa të drejta themelore, siç janë letërnjoftimi, libreza e shëndetit, patenta e shoferit dhe qasja në shërbime publike, duke theksuar se bëhet fjalë për një masë administrative që ndikon negativisht në strukturat lokale.
“Thelbi është se njerëzve po u fshihet vendbanimi pa asnjë njoftim, pa mundësi të deklarohen. U mohohen dokumentet personale, dhe në thelb fshihen nga sistemi“, tha Jovanoviq. „Qëllimi i këtij inxhinieringu administrativ është, ndër të tjera, manipulimi i listave zgjedhore dhe riorganizimi i strukturave të pushtetit lokal në ato komuna.“
Avokati Lluka Jovanoviq përfaqëson disa nga qytetarët e prekur para Gjykatës Administrative në Beograd. Në lidhje me këtë, ai ka njoftuar edhe Parlamentin Evropian për, siç e quan ai, diskriminim sistematik. Në një letër të fundit drejtuar eurodeputetit Tonino Piculla, Jovanoviq shkruan se shumë qytetarë kanë humbur mundësinë për të marrë pjesë në zgjedhje dhe regjistrime, pa të drejtë ankese ose njoftim paraprak.
Sipas tij, pasivizimi i adresave është intensifikuar sidomos pas vitit 2016, dhe pasojat janë bërë të dukshme edhe në regjistrimin e fundit të popullsisë, ku shumë qytetarë nuk mundën të marrin pjesë për shkak të mungesës së adresës së regjistruar. „Ndoshta kjo ishte shenja e parë e madhe se bëhet fjalë për një problem serioz që ende nuk është zgjidhur“, shton ai.
“Për ta kuptuar sa i madh është ky problem, duhet të mendojmë se sa e vështirë është për njerëzit që nuk mund të nxjerrin dokumentet e nevojshme për jetën e përditshme. Përgjegjësia kalon nga një institucion te tjetri, dhe askush nuk ofron zgjidhje“, thekson Jovanoviq.
Përveç fshirjes administrative, qytetarët e prekur përballen edhe me kufizime të lëvizjes. Jovanoviq përmend një problem shtesë për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ai tha se Kosova njeh vetëm letërnjoftimet serbe, ndërsa nuk i pranon pasaportat serbe, të cilat i posedojnë disa nga këta qytetarë. “Këta njerëz mbeten të bllokuar midis dy realiteteve ligjore dhe politike“, thotë ai.
Ai vlerëson se nga pasivizimi i adresave janë prekur mijëra njerëz. “Disa të dhëna, si ato të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, flasin për rreth 4.000 raste. Numri i saktë nuk dihet, pasi nuk ekziston një regjistër publik i qasshëm“, thekson Jovanoviq.
“Nëse do të zbatoheshin rregullat ekzistuese të Republikës së Serbisë për regjistrimin e vendbanimit dhe qëndrimit, kjo situatë as që do të ekzistonte“, përfundon ai.
Organizatat joqeveritare dhe partitë politike shqiptare nga jugu i Serbisë bëjnë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të kësaj “praktike diskriminuese”, mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve dhe përgjigje adekuate nga autoritetet serbe ndaj kërkesave të komunitetit.
copy(/home/titulli/public_html/images/image/uka-jovanoviq.jpg): failed to open stream: No such file or directory