Aprovohet buxheti i komunës së Bujanocit prej 938 milion dinarë
Kuvendi Komunal i Bujanocit, pas disa orëve diskutimesh, miratoi sot buxhetin e komunës së Bujanocit për vitin 2016, me vlerë të përgjithshme rreth 938.095.000 milionë dinarë.Kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, buxhetin për vitin 2016 të kësaj komune e quajti “buxhet të zhvillimit të vazhdueshëm infrastrukturor, të zhvillimit ekonomik lokal dhe buxhet për zhvillimin e arsimit”.
Këshilltarët e opozitës propozim buxhetin për vitin 2016 të komunës së Bujanocit e kritikuan pasi, sipas tyre, nuk ka pasur debat publik me qytetarët, ndërsa mjetet janë përqendruar në infrastrukturë, e jo në zhvillimin e ekonomisë dhe bujqësisë, shkruan titulli.com.
Ragmi Mustafa, shef i grupit parlamentar të PVD-së opozitare nuk u pajtua me Arifin, duke theksuar se “me këtë buxhet nuk mund të ndikojmë në zhvillimin ekonomik dhe në zbutjen e papunësisë dhe varfërisë”, duke e quajtur “buxhet zgjedhor”.
Rafet Xhelili nga PVD tha se duhet më tepër të ndahen për zhvillimin e bujqësisë, pasi siç u shpreh ai, vetëm një për qind e buxhetit janë paraparë për bujqësinë.
Enver Ramadani, gjithashtu nga PVD, buxhetin e quajti “buxhet për mbulimin e gropave”, duke aluduar në projektet e parapara për mirëmbajtjen e rrugëve, kryesisht në fshatrat serbe.
Zëvendëskryetari i komunës, Stojança Arsiq, i cili pati debat të ashpër me këshilltarët e opozitës, këto kritika i vlerësoi si “tendencioze”.
Këshilltari Shpend Xhelili nga Breznica, i cili në këtë seancë u largua nga Partia Demokratike në pushtet, theksoi se nuk është i kënaqur me investimet në Malësinë e Bujanocit dhe punësimin e qytetarëve të kësaj ane.
“Asgjë nuk është bërë, posaçërisht për punësimin e qytetarëve të kësaj ane. Ky është një turp historik”, tha Shpend Xhelili.
Vlerësimet e Xhelilit i kundërshtoi këshilltari nga radhët e PD-së, Samet Latifi, i cili tha se Malësia paska gabuar në zgjedhjen e Xhelilit si këshilltar./Titulli.com/