A do të vendosin shqiptarët për presidentin e Maqedonisë së Veriut më 8 maj?
Rajoni dhe Politika

A do të vendosin shqiptarët për presidentin e Maqedonisë së Veriut më 8 maj?

26.Apr.2024 08:18
0

Kandidatja opozitare Gordana Silanovska-Davkova e ka fituar bindshëm rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut të mërkurën, dhe do të përballet me presidentin aktual, Stevo Pendarovski, në rundin e dytë muajin e ardhshëm.

Por, me gjithë fitoren bindëse të Davkovës në rundin e parë, votat e shqiptarëve mund përsëri të luajnë rol kyç në rundin e dytë, sikurse para pesë vjetëve.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Davkova – e cila vjen nga partia opozitare VMRO DPMNE – i fitoi 40.10 për qind të votave, ndërsa Pendarovski nga Lidhja Social Demokrate (LSDM) në pushtet, i fitoi 19.93 për qind të votave.

Shtatë kandidatë garuan në rundin e parë, në mesin e të cilëve edhe dy shqiptarë, të cilët nuk ia dolën të fitonin vota të mjaftueshme për ta siguruar balotazhin.

Bujar Osmani nga Fronti Evropian i mori 13.36 për qind të votave, ndërsa Arben Taravari nga koalicioni opozitar VLEN 9.21 për qind të votave.

Davkova – duke folur pasi e fitoi rundin e parë – tha se nuk është kundër integrimit evropian të vendit, por se kërkon që integrimi “të mos bëhet duke dëmtuar interesat shtetërore e kombëtare maqedonase”.

Ajo u zotua se, nëse zgjidhet presidente, do të angazhohet për thellimin e bashkëpunimit rajonal, “që vendet e rajonit së bashku të ecin drejt rrugës së integrimit në Bashkim Evropian”.

Kandidatja për president e partisë opozitare, VMRO-DPMNE, Gordana Silanovska-Davkova, e fitoi rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut më 24 prill.
Kandidatja për president e partisë opozitare, VMRO-DPMNE, Gordana Silanovska-Davkova, e fitoi rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut më 24 prill.

Kandidati i LSDM-së, Stevo Pendarovski, u zotua se do ta vazhdojë betejën në rundin e dytë të zgjedhjeve “për një fitore dhe për realizimin e agjendës evropiane” të Maqedonisë së Veriut.

“Koncepti im është që të jetojmë në një shteti të integruar në BE dhe jo të izoluar. Në një shtet ku nuk do të ketë ndarja dhe i cili do të jetë pjesë e integrimeve euroatlantike”, tha Pendarovski.

Sipas KSHZ-, rreth 49 për qind e 1.8 milion shtetasve më të drejt vote e hodhën votën në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të mërkurën.

Fitorja e thellë e kandidates opozitare Davkova ishte parashikuar pothuajse në të gjitha hulumtimit e opinionit publik.

Zgjedhjet presidenciale të 24 prillit shihen si test i rëndësishëm për partitë politike, pasi ato u mbajtën pak javë para zgjedhjeve parlamentare të majit.

Sipas vlerësimet të njohësve të çështjeve politike, VMRO DPMNE është pranë fitores së dyfishtë më 8 maj, Presidencës dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

VMRO DPMNE-ja është një parti konservatore maqedonase me ideologji demokristiane, e cila ka kundërshtuar Marrëveshjen e Prespës me Greqinë për ndryshimin e emrit Maqedoni në Maqedoni të Veriut, pavarësisht se ky ishte kusht për anëtarësimin e këtij vendi në NATO.

Mbështetësit e partisë opozitare VMRO DPMNE duke e festuar fitoren e kandidates së tyre në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, 24 prill.
Mbështetësit e partisë opozitare VMRO DPMNE duke e festuar fitoren e kandidates së tyre në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, 24 prill.

Ajo kundërshton edhe ndryshimin e Kushtetutës së vendit për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj si popull shtetformues, që është kusht për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Politikat e kësaj partie kanë gjetur mbështetje të gjerë te popullata maqedonase, bazuar në të gjitha hulumtimet e opinionit publik të zhvilluara prej vitit 2018.

Humbja e thellë e LSDM-së në rundin e parë presidencial ka të bëjë edhe me zhvillimet tjera, në veçanti me dështimet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, gjendjen në gjyqësor, që janë kritikuar në të gjitha raportet e BE-së dhe SHBA-së.

Fitorja e VMRO-së i atribuohet edhe kritikave që kjo ka parti pati ndaj LSDM-së për “lëshimet e shumta” që ka bërë ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), të cilën e ka akuzuar për përfshirje në krime të rënda dhe “kapjen e institucioneve shtetërore”.

A do të jetë vota e shqiptarëve vendimtare në rundin e dytë?

Davkova dhe Pendarovski do të përballen në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, të cilat do të mbahen më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare.

Davkova ishte kandidate për presidente edhe në zgjedhjet e vitit 2019, por humbi në rundin e dytë përballë Pendarovskit, i cili triumfoi falë votave të shqiptarëve të cilët i ndihmuan ta përmbyste epërsinë e Davkovës nga rundi i parë i zgjedhjeve.

Se a do të ketë përmbysje të rezultatit edhe më 8 maj mbetet të shihet, por bazuar në dallimin e thellë të Davkovës prej rreth 180 mijë votave, Pendarovskit i nevojitet mbështetja e dy kandidatët shqiptarë për president, Bujar Osmanit dhe Arben Taravarit, që së bashku kanë siguruar rreth 200 mijë vota.

 

I pyetur se cilin kandidat do ta mbështesë më 8 maj, Taravari u përgjigj: “Ende nuk kemi vendosur. Si koalicion duhet të ulemi dhe të bisedojmë për këtë çështje”.

Por, ai ka marrë një mesazh nga kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili e ka uruar për rezultatin e arritur në zgjedhje dhe i ka shprehur gatishmërinë për të biseduar për pjesëmarrjen e opozitës shqiptare në qeverinë e ardhshme pas 8 majit.

Kandidati i Frontit Evropian, Bujar Osmani, gjithashtu nuk është prononcuar se cilin nga kandidatët do ta mbështesë në rundin e dytë, por ka përsëritur thirrjen për unitet në rrugën e integrimit evropian.

“Të vazhdojmë këtë betejë, të bëhemi bashkë. Edhe ata që kanë dilemën më të vogël t’i bashkohen Frontit Evropian, sepse ai është garanci i së ardhmes së begatë evropiane”, ka deklaruar Osmani.

Në Maqedoninë e Veriut deri në vitin 2017 ka pasur një rregull të pashkruar, që qeveritë formohen nga partitë fituese shqiptare dhe maqedonase, pavarësisht orientimeve të tyre programore.

Bashkimi Demokratik për Integrim, si fituese e zgjedhjeve te shqiptarët ka qenë pjesë e qeverisë si me LSDM-në, ashtu edhe me VMRO DPMNE-në që fitonin zgjedhjet tek elektorati maqedonas.

Ky rregull ka vazhduar deri në vitin 2017 kur qeveria u formua nga LSDM-ja edhe pse kishte humbur zgjedhjet tek elektorati maqedonas, arriti të përbëjë shumicën parlamentare me votat e partive shqiptare dhe të formojë Qeverinë duke larguar nga pushteti VMRO DPMNE-që drejtohej nga Nikolla Gruevski.

Pas kësaj, VMRO DPMNE-ja disa herë ka bërë të ditur se rregulli “fituesi me fituesin” më nuk do të vlejë./REL/

copy(/home/titulli/public_html/images/image/avkova-pendarovski.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Bislimi: Serbia kërkon që strukturat ilegale të financohen deri në krijimin e Asociacionit
Njoftimi zyrtar mbi vdekjen e nënës preshevare në spitalin e Vrajës
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration