38 operatorë firmosin marrëveshjen për uljen e tarifave roaming BE-Ballkani Perëndimor
Nga 1 tetori tarifat e roaming-ut ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të ulen gradualisht. Komisioneri për zgjerimin njofton se marrëveshja vullnetare midis 38 operatorëve të telekomunikacionit është një hap i madh.
“Unë mirëpres nënshkrimin e marrëveshjes vullnetare midis 38 operatorëve të telekomunikacionit. Ulja e tarifave të roaming midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor nga 1 tetori i këtij viti do të sjellë përfitime për BE-në dhe qytetarët dhe bizneset e Ballkanit Perëndimor”, tha Varhelyi.
38 operatorë telekomunikacioni nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor kanë rënë dakord të bëjnë roamingun e të dhënave midis Ballkanit Perëndimor dhe BE-së më të përballueshme për qytetarët dhe bizneset në të dy rajonet, në një proces të mbështetur nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe Komisioni Evropian. Kjo marrëveshje përputhet me Deklaratën e Roaming-ut të nënshkruar në Samitin e Dhjetorit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë.
Nëpërmjet marrëveshjes së tyre vullnetare, operatorët u zotuan të reduktojnë ndjeshëm hendekun midis tarifave të roaming dhe tarifave të brendshme për përdorimin e të dhënave në të dyja drejtimet midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Nivelet maksimale të çmimeve të shitjes me pakicë (kufijtë e çmimeve) për 1 gigabajt do të ulen nga tetori 2023 në 2028 si më poshtë: 18 € nga 1 tetori 2023, 14 € nga 2026 dhe 9 € nga 2028. Rishikimet vjetore janë parashikuar për të vlerësuar ndikimet dhe në vijim hapat.
“Futja e kufijve të çmimeve pritet të ulë çmimet e roaming-ut të të dhënave për konsumatorët që udhëtojnë midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Ky kufizim çmimi inkurajon dhe thjeshton shkëmbimet e biznesit, kulturore, turizmin dhe të tjera ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, duke forcuar lidhjet midis rajoneve fqinje. Operatorët aktualisht janë duke punuar në krijimin e produkteve me çmime nën kufijtë e çmimeve të dakorduara, të cilat do të jenë të disponueshme për blerje për numrin më të gjerë të mundshëm të konsumatorëve”, thuhet në njoftimin e BE-së, ndërsa operatorët e tjerë të telekomunikacionit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor janë të ftuar t’i bashkohen nismës./a2cnn/