26 mijë euro për sinjalistikë rrugore! (Foto)
Në Bujanoc po vazhdon rishënimi i sinjalistikës rrugore horizontale në vendkalimet e këmbësorëve si dhe vijave gjatësore të trafikut.Shënimi i këtij sinjalizim i filluar këtë javë, i cili vazhdoi edhe të premten, buxhetit të taksapaguesve të Komunës së Bujanocit do t’i kushtojë 3 milion 141 mirë dinarë (me tvsh), apo 26 mijë euro.
“Në fillim të kësaj jave ka filluar sinjalizimi horizontal në vet qytetin e Bujanocit, atje ku vërtet kemi obligim ligjor dhe është frekuentimi më i madh i automjeteve dhe këmbësorëve”, ka thënë për Televizionin Bujanoci, drejtori i Drejtoratit për Ndërtim, Agim Haliti, duke konfirmuar se mjetet janë ndarë nga buxheti komunal.
Shënimi i këtij sinjalizimi, sipas Halitit do të kryhet edhe në vendbanimet përreth, ndërsa me vlerësimin e shërbimit profesional të sinjalistikës pranë këtij drejtorati, është planifikuar mjaftueshëm ngjyrë për të shënuar sinjalizimin horizontal rrugor në afatet caktuara.
Ajo që mbetet shqetësuese për qytetarët është shuma e mjeteve të ndara për kualitetin e ngjyrës që po përdoret, pasi nga praktika e deritanishme, shënimi me këtë lloj ngjyre i vijave për vendkalimin e këmbësorëve si dhe vijave gjatësore të trafikut, ka ‘mbijetuar’ shumë shkurt, duke u bërë të padukshme, në raste duke marr ngjyrën e asfaltit vetëm pas disa ditëve.
Përndryshe, sipas drejtorit Haliti, sinjalizimi horizontal është i paraparë të bëhet dy herë brenda vitit. /Titulli.com/