Vozitësit me targa serbe pa letra ngjitëse do të gjobiten pas 8 tetorit
Deri më 8 tetor, të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë automjete me targa të Serbisë dhe që qarkullojnë brenda territorit të Kosovës, duhet të pajisen me letrat ngjitëse (stickers) të cilat duhet të vendosen mbi simbolet shtetërore në targat e tyre, kanë deklaruar zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.
Jeta Tela, shefe e kabinetit dhe këshilltare e lartë politike e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë thotë se që nga 8 tetori, automjetet që kanë targa të Serbisë dhe mbi simbolet e të cilave nuk janë vendosur letrat ngjitëse, do të sanksionohen sipas ligjit.
“Në raste të tilla, prej të premtes, prej datës 8 tetor, kushdo që zihet brenda territorit të Kosovës pa stickers (letra ngjitëse), atëherë do të gjobitet në bazë të Ligjit për trafik”, thekson Tela.
Megjithatë, zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe as Policia e Kosovës nuk e kanë bërë të ditur sesa do të jetë shuma monetare e gjobës ndaj vozitësve që qarkullojnë me targa të Serbisë dhe pa letra ngjitëse.
Më 30 shtator, përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë në dialogun në Bruksel, janë pajtuar që automjetet e të dyja vendeve, gjatë qarkullimit në territorin e njëra-tjetrës, të vendosin letra ngjitëse mbi simbolet shtetërore të vendit përkatës në targat e automjeteve.
Zbatimi i kësaj marrëveshjeje ka nisur më 4 tetor dhe në vendkalimet kufitare, të dyja palët kanë nisur t’i pajisin automjetet e vendeve përkatëse me letra ngjitëse për targat e tyre.