Thaçi nga Haga dërgon mesazhin që i mungonte Kosovës për raporte me ShBA-në dhe besim në NATO e BE
Në një kohë kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur hapur qortimet e ashpra për Qeverinë e Kosovës, që drejtohet nga Albin Kurti dhe kur ky i fundit nuk ka zgjedhur gjuhën e komunikimit me zyrtarët e lartë amerikanë, ish – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dërguar nga Haga një mesazh që i mungonte politikës kosovare.
Njeriu që udhëhoqi procese historike për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, të cilat u ndihmuan fuqishëm nga bota perëndimore e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka shprehur besimin e madh që ka në NATO, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Unë besoj në Kosovën në NATO, në BE dhe në raporte të përjetshme speciale me ShBA-në”, ka thënë ish – Presidenti Thaçi në një intervistë ekskluzive për Nacionale, të realizuar me shkrim nga brenda dhomave të paraburgimit në Hagë.
Nacionale: Ju keni pasur kohë, si asnjëherë më parë, të mendoni për gjëra të ndryshme, ndoshta edhe për luftën e fundit në Kosovë. A ka diçka të re që mund të na e thuash për atë periudhë?
Hashim Thaçi: Të them të drejtën, më shumë mendoj për të ardhmen se sa për kapitujt e mbyllur suksesshëm të Kosovës. Ne nuk e filluam luftën, dhe as s’e deshëm atë, populli i Kosovës i rezistoi agresorit. Nuk bëmë as më pak as më shumë se sa atë që duhej bërë, siç kanë bërë dhe bëjnë sot edhe shumë kombe bartëse të civilizimit botëror.
Ne fituam.
Tash duhet ta forcojmë paqen. Ajo sjell zhvillim, rend e ligj, harmoni mes njerëzve, jetë më të mirë e mirëqenie për qytetarët.
Vetëm me histori nuk mund ta fitojmë të ardhmen, historia duhet respektuar, institucionalizuar. Ajo është mishërim i qytetarëve, por nuk garanton sukses për të sotmen dhe të ardhmen.
Nëse dështojmë sot, e lëndojmë dhe e përbaltim historinë e fitores së djeshme. Por, duhet pasur parasysh se historia jonë e suksesit nuk është vetëm pronë kosovare, është edhe meritë e jashtëzakonshme e botës perëndimore.
Kosova është storie e suksesit të përbashkët. Pa përkrahjen e sponzoruesve të lirisë dhe pavarësisë si shoqëri mund të mbijetojmë ngatërrueshëm disi, por si shtet funksional nuk mund të ekzistojmë.
Ta mendojmë Konferencën e Rambujesë, kohën e bombardimeve, çlirimin e Kosovës, bërjen e Kosovës shtet, njohjen e saj nga mbi 100 shtete, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, integrimin e saj në shumë institucione dhe organizata ndërkombëtare.
Duhet kujtuar se jo të gjithë faktorët relevantë botërorë ishin entuziastë për bërjen e Kosovës së lirë dhe të pavarur.
E kundërta, Kosova do ta ketë pamjen e zymtë, të pasigurt, dekurajuese dhe me shumë dilema. Do të jetë ekonomikisht më e varfër, fare investime të huaja dhe me demokraci të lëkundur. Një vendi me kriza të përhershme askush nuk i beson.
Por, unë besoj në Kosovën në NATO, në BE dhe në raporte të përjetshme speciale me ShBA’në.
Me Serbinë duhet të arrihet paqe e përhershme, me njohje reciproke, ligjërisht obliguese. Sa më shumë që vonohet kjo marrëveshje, aq më e vonuar do të jetë Kosova në NATO dhe BE, e aq më e zbehtë do të jetë mbështetja e ShBA’së.
Përvoja ime më tregon se Brukseli e mbështet Kosovën, për aq sa e inkurajon dhe e mbanë në vëmendje atë Uashingtoni.
Aleanca me ShBA-në duhet kultivuar për të ardhmen strategjike, e jo veç për kujtesë falënderimi. Suksesi ynë është mirënjohja më e madhe që Perëndimi mund të pranojë dhe vlerësojë nga Kosova.