
Sondazhet: Konservatorët e Merzit fitojnë zgjedhjet në Gjermani, AfD-ja rritet bindshëm
Aleanca konservatore e Gjermanisë CDU/CSU, e udhëhequr nga Friedrich Merz, i ka fituar zgjedhjet e së dielës për Qeverinë e re federale, me 28.5 – 29 për qind të votave, sipas sondazheve të para televizive.
Partia e të djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD) renditet e dyta me 19.5 – 20 për qind të votave, që do të thotë se e ka dyfishuar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021, bazuar në shifrat e publikuara nga transmetuesit publikë, ARD dhe ZDF.
Sipas tyre, partia e kancelarit Olaf Scholz renditet e treta.
Merz lavdëron “fushatën e mrekullueshme zgjedhore”
Nëse rezultatet e sondazheve do të vërtetohen, Merz duket se do të jetë kancelari i ri i Gjermanisë, vendit me ekonominë më të madhe në Evropë.
Mirëpo, për të siguruar shumicën në parlament, atij do t’i duhet të krijojë koalicion me të paktën një parti tjetër, me shumë mundësi me Socialdemokratët (SPD) e kancelarit në shkuarje, Olaf Scholz.
Merz u është drejtuar mbështesëve nga selia e partisë, duke lavdëruar “fushatën e mrekullueshme zgjedhore”, dhe ka folur me “respekt për kundërshtarët politikë”.
“Tani do të diskutojmë së bashku, sepse është e rëndësishme të formojmë Qeverinë sa më shpejt që është e mundur. Bota nuk është duke na pritur neve”.
Sipas tij, të gjithë në botë duhet të shohin që Gjermania ka një Qeveri të qëndrueshme dhe të besueshme.
“Sonte do të festojmë, nesër do ta nisim punën”.
Scholz: Na duhet ta pranojmë që humbëm zgjedhjet
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se rezultati i zgjedhjeve është i “hidhur” për partinë e tij, SPD, duke e quajtur situatën “humbje”.
SPD-ja duket se ka regjistruar atë që është rezultati më i dobët në Gjermaninë e pasluftës, me rreth 16 - 16.5 për qind.
Duke folur para mbështetësve në Berlin, Scholz ka thënë se është koha që “të pranojmë se kemi humbur zgjedhjet”.
Sipas tij, partia ka pasur rezultate më të mira në zgjedhjet e kaluara, për të cilat ka qenë përgjegjës ai, dhe që rezultati tani është “më i keq, dhe për këtë jam përgjegjës, gjithashtu”.
Scholz e ka uruar Friedrich Merzin për fitoren.
Liderët e AfD-së: Kemi mandat për të bërë ndryshim politik
Rritja e AfD-së, parti kundër imigrimit, është rezultat i zemërimit publik rreth çështjeve të migrimit dhe sigurisë, pas një morie të sulmeve të kryera nga migrantët, dhe pas shqetësimeve për dobësim të ekonomisë.
Pavarësisht kësaj, AfD pritet të mbetet jashtë pushtetit, tani për tani, sepse të gjitha partitë tjera kanë refuzuar të bashkëpunojnë me të.
Liderët e AfD-së kanë thënë se janë shumë të lumtur me rezultatin e këtyre zgjedhjeve.
Njëri prej udhëheqësve, Tino Chrupalla, ka thënë se është “shumë krenar” me partinë.
“Ne ishim të bashkuar, fushata jonë ka pasur cak dhe kemi qenë të disiplinuar”, ka thënë ai, duke qenë afër Alice Weidelit, udhëheqëses tjetër të partisë.
“Ne mund të bëjmë ndryshim epokal”, ka thënë ai, duke shtuar se janë të hapur për negociata.
“Ne kemi fituar besimin e votuesve dhe kjo duhet të jetë diçka që e pranojnë të gjithë”, ka shtuar ai.
Të Gjelbërit, një tjetër partnere e mundshme për CDU/CSU, duket se ka siguruar 12-13.5 për qind të votave.
Në këto zgjedhje kanë pasur të drejtë vote 59.2 milionë gjermanë.
Zgjedhjet janë mbajtur pas prishjes së koalicionit trepartiak të Scholzit, në fund të vitit të kaluar./REL/