Shqiptarët e veriut të Kosovës: Mbijetesa përballë sulmeve nga kufiri verior (video)
Pjesa veriore e Kosovës, me katër komunat e saj, Mitrovica e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, kanë një shumicë serbe, e cila e ka bërë shumë të vështirë për Kosovën e pavarur për ta kontrolluar atë.
Bashkim Cimili, kandidat për kuvendin komunal të Mitrovicës së Veriut: “Ne në Mitrovicën Veriore, kemi arritur që të gjitha partitë të bëhemi bashkë, dhe të gjithë ata aktivistë që të paktën kanë një eksperiencë në këtë fushë, jemi përpjekur që të futemi në listë të gjithë së bashku që të dalim sa më të fortë.”
Por nuk ka ndodhur e njëjta gjë në komunën e Leposaviqit. “Për fat të keq në komunën e Leposaviqit ku i kemi tri fshatra, Koshtovën, Bistricën dhe Cerajën nuk kanë arritur që të formojnë një listë që të futen në një garë të përbashkët. Unë mendoj se është gabim nga ana e tyre, shpresoj që në zgjedhjet e ardhshme nuk do të veprojnë më kështu, por do të veprojnë së bashku,” thekson Cimili.
Serbët e veriut kishin refuzuar pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008, ndërkohë që qeveria e Kosovës kundërshtonte institucionet paralele të mbajtura dhe mbështetura nga Beogradi.Marrëveshja e Brukselit e arritur në vitin 2013, dhe veçanërisht ajo për IBM, apo menaxhimi i integruar i kufirit, bënë që të paktën pjesa më e madhe e institucioneve paralele, përfshi policinë dhe gjykatat, të integroheshin në institucionet e Kosovës.
Stema e policisë së Kosovës ishte tashmë, për herë të parë, e pranishme në jetën e përditshme në veri. Megjithatë, veriu mbetet një zonë shumë e vështirë për shqiptarët dhe dërgimi i njësive speciale të policisë së Kosovës atje, është shoqëruar me tensione, bllokime rrugësh, barrikada, djegie pikash kufitare dhe dhunë.
Para luftës, një numër i konsiderueshëm shqiptarësh, boshnjakësh dhe romësh jetonin në veri, veçanërisht në Mitrovicë, e cila u nda në dy komuna, Mitrovica e Veriut dhe Mitrovica e Jugut. Lumi Ibër është vija ndarëse. Sipas shifrave të publikuara nga OSBE në vitin 2018, popullsia në katër komunat veriore është 48,500 banorë, nga të cilët 42,500 ose 87% janë serbë, 5,000 ose 10% janë shqiptarë, 1,000 ose 3% janë boshnjakë dhe të tjerë. Kjo do të thotë se më shumë se 60% e të gjithë serbëve të Kosovës, jetojnë në pjesën veriore.
E gjithë zona e veriut përbën rreth 9.97% të territorit të Kosovës. Tre fshatrat më të largëta të banuara me shqiptarë janë në komunën e Leposaviqit, Koshtova, Bistrica dhe Ceraja. Jemi nisur nga ura e Ibrit, nga Mitrovica e Veriut, drejt Leposaviqit, për të parë si jetojnë shqiptarët në këto fshatra. Shkojmë drejt Koshtovës, ku na pret Eset Musa, një nga banorët.
“Po këtu, me serbët, kur ka probleme, te Zveçani këtu, ka problem se na mbyllet rruga jonë që qarkullojmë, kur ka këndej prej Jarinje, ne e kemi rrugën më të kalueshme se është përtej komunës së Leposaviqit,” na shpjegon Eset Musa.
Gjatë luftës, shtëpitë e këtyre shqiptarëve u dogjën. KFOR-i ndihmoi pas luftës për rindërtimin e tyre, por ishte bërë një marrëveshje, që ato të rindërtoheshin nga themeli, duke shlyer kështu çdo shenjë të luftës dhe mizorisë së Beogradit, por edhe serbëve lokalë.
“Kur u kthyem ne në 2001, për t’i ndërtuar shtëpitë e kishin bërë si marrëveshje gjoja si me i humbë gjurmët e luftës, nëse do me ta ndërtu shtëpinë, me rrënu krejt çfarë ke pasur që mos të dukeshin shtëpitë e djegura, unë nuk pranova, thashë, mos ma ndërtoni shtëpinë, se këtë e kam prej babës, baba e ka ndërtuar vetë, e kam këtë shenjë që më mbetet prej babës që ka punuar, ai komandanti I KFOR-it u tregua si zemërmirë dhe tha, nuk bën t’ia rrëzoni, këtu do ia ndërtoni” thotë Eseti.
Në këtë zonë nuk ka pothuaj asgjë me të cilën të mund të nxirret jetesa e përditshme, bjeshkë, fshatra të izoluara, tensione ndër-etnike dhe kufiri me Serbinë, shumë afër. Shumica e banorëve kanë lëvizur tashmë drejt jugut, por duke ruajtur shtëpitë dhe tokën në veri. Tokën që ka qenë e tyrja brez pas brezi dhe ku kanë mbijetuar duke u përballur me valën e sulmeve nga kufiri verior./ Abcnews.al/
“ABC” tek shqiptaret e veriut te Kosoves (VIDEO): Mbijetesa perballe sulmeve nga kufiri verior