Lokale
“Shkolla që nuk hapë dyert për nxënësit”! (foto)
Shkolla e Tërnocit e sapo ndërtuar, që plotëson standardet më shumë se çdo shkollë tjerët, ende mbetet e mbyllur për nxënës.
Është për tu habitur, por më se e vërtetë. Shkolla fillore “Muharrem Kadriu” në Tërnoc të komunës së Bujanocit, paralelja e ndarë në lagjen e Strukarëve, po mbanë të mbyllura dyert për nxënësit e kësaj shkolle.
Sipas një investigimi të bërë nga Titulli, kjo shkollë nuk do të hapet deri sa të lahen borxhet.
Kompania që ka bërë ndërtimin e këtij objekti, “Vlora com” nga Presheva, kërkon borxhin nga Agjencia Turke për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar “TIKA” dhe komuna e Bujanocit.
Borxhi ndaj “Vlora com-it” nuk është edhe i vogël, por kalon 100.000 euro, kështu thotë pronari.
“Pasi të bëhet pagesa ndërtesa do të lëshohet në përdorim, përndryshe objekti nuk do të hapet pa u bë pagesa”, kështu i tha portalit tonë përfaqësuesi i “Vlora com-it”, Samet Hetemi.
Ai për këtë bënë fajtorë Agjencinë turke “TIKA” si dhe komunën e Bujanocit.
“Ne i kemi përfundu të gjitha punët dhe shkolla është gati për nxënësit, mirëpo pa u shlye borxhi i cili është 103.000 euro nuk do të hapen dyert”, shtoi Hetemi, duke theksuar se këto ditë pritet që “TIKA” dhe komuna e Bujanocit të merren vesh për pagesën.
Titulli, përmes telefonit ka kontaktuar edhe kryetarin e Komunës së Bujanocit Nagip Arifin i cili në pyetjen se a ka borxhe kjo komunë ndaj “Vlora com-it” është përgjigjur me “jo” dhe ka shtuar se duhet ta pyesni “Vlora com-in” se kush i ka borxhe.
Borxhet i mohon edhe Agjencia Turke për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar “TIKA” me seli në Beograd e cila ka financuar ndërtimin e kësaj shkolle. Në thirrjen tonë TIKA dha këtë përgjigje:
“Tika deri më sot në mënyrë të rregullt dhe me kohë i kryen të gjitha obligimet që ka, ndërsa sa i përket këtyre parregullsive rreth pagesës duhet ti drejtoheni komunës”.
Sekretarja kujdestare e kësaj organizate tha se “TIKA” punon në përputhshmëri me ligjet e Serbisë, ndërsa organizata turke ka të nënshkruar edhe protokollin e bashkëpunimit dhe sipas saj deri më sot të gjitha obligimet janë kryer me kohë.
Po çka u bë me nxënësit e kësaj shkolle paralelja e ndarë në Strukarë, ku janë duke mësuar ata? Këtë tentuam të mësojmë nga drejtoresha Valbona Tefiku e cila në thirrjen e parë telefonike të Titullit tha se është nxënë, ndërsa më vonë, në telefonatat e radhës nuk u lajmërua !
Gazetarët e Titullit ishin në shkollën katërvjeçare Muharrem Kadriu-paralejla në Strukarë të Tërnocit, ku provuan të hynë në këtë shkollë, mirëpo dyert ishin të mbyllura. Nga afër u pa se gjithçka ishte gati përfshi edhe bankat e karrigat.
Gurthemeli për ndërtimin e kësaj shkolle u vendos më 18 mars të vitit të kaluar. /Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!