Sfida e dygjuhësisë, tek mjekët shqiptarë gjen zbatim, te serbët jo?! (foto)
Edhe pse të gjitha institucionet publike në komunë të Bujanocit janë të obliguara të respektojnë dygjuhësinë ajo nuk po ndodh në shumë nga këto organe që veprojnë në këtë komunë.
Bujanoci, komunë e banuar më shumicë shqiptare, ende po ngecë në zbatimin dygjuhësisë. Si në shumë ndërmarrje publike ku zbatohet pjesërisht dygjuhësia e obligueshme edhe në Shtëpinë e Shëndetit nuk po respektohet një e drejtë e shqiptarëve etnik.
Pas ankesave të qytetarëve të cilët në shumë raste nuk arrijnë të kuptojnë shënimet e vendosura vetëm në gjuhën serbe në dyert e ordinancave mjekësore në Shtëpinë e Shëndetit në Bujanoc, portali informativ Titulli ka vizituar këtë institucion duke identifikuar “lëshimet” që bëhen në njoftimet publike.
Ajo që është parë në këtë shtëpi shëndeti dhe e cila dokumentohet përmes fotografive të mëposhtme, është se në njoftimet në të cilat figurojnë emrat e mjekëve shqiptarë, në të shumtën e rasteve dygjuhësia gjen zbatim, sidomos në përshkrimin e profesionit të mjekut dhe repartin, kurse te kolegët e tyre serb nuk mund të gjesh një shkronjë në gjuhën shqipe!
Më e vështirë për pacientët shqiptarë është edhe shënimi i orareve të mjekëve të cilët pothuajse janë vetëm në gjuhën serbe, derisa pacientët shqiptarë të cilët vijnë sidomos nga vendbanimet jo të përziera, ankohen se nuk mund të kuptojnë ate se çfarë është shënuar në këto njoftime të ngjitura në dyer të ordinancave.
Komuna e Bujanocit që nga viti 2002 drejtohet nga kryetarë shqiptarë, mirëpo tani kur kanë kaluar mbi 12 vite nga drejtimi me pushtetin lokal, respektimi i dygjuhësisë mbetet sfidë, derisa kjo padrejtësi ndaj popullatës shumicë vazhdon edhe në institucione tjera, qoftë ato që për themelues kanë Kuvendin apo institucionet shtetërore./Titulli.com/