Fshihen emërtimet në gjuhën shqipe në institucionet e rrugët e Medvegjës
Shqiptarët e Luginës së Preshevës po vazhdojnë të përballen me çdo lloj diskriminimi nga shteti serb.
Derisa ka kohë që ka nisur një aksion për pasivizimin e adresave të shqiptarëve të kësaj ane nga pushteti qendror, tani ata po përballen edhe me diskriminim administrativ.
Nga disa fotografi të publikuar pretendohet se janë fshirë emërtimet në gjuhën shqipe nga tabelat e institucioneve të ndryshme, por edhe të rrugëve, raporton Zeri.
E ky veprim ka nxitur reagime të shumta në opinionin lokal e më gjerë.
Flora Ferati-Sachsenmaier, bashkëpunëtore Shkencore në Institutin “Max Plank” për Studimin e Diversitetit Fetar dhe Etnik, përmes një postimi në Twitter, ka publikuar disa fotografi, duke treguar se “partia në pushtet SNS vazhdon të heqë tabelat dygjuhëshe në komunën e Medvegjës”.
“Siç tregojnë pamjet e mëposhtme, gjuha shqipe po hiqet sistematikisht nga të gjitha shenjat e informacionit (objektet e kujdesit shëndetësor, emrat e rrugëve, informacionet turistike)”, ka shkruar Ferati-Sahsenmaier.
Statusin e saj në Twitter e ka shpërndarë edhe Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e cila më parë e ka ngritur edhe çështjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës nga ana e shtetit serb.
Me Kushtetutën e Serbisë është e garantuar e drejta e përdorimit të gjuhëve të pakicave në toponime dhe emërtimin e institucioneve, por siç po shihet, kjo nuk po respektohet në Komunën e Medvegjës.