Lokale
Selimi e Hasani: Do ta mbrojmë edhe me luftë lapidarin
Dy deputetë të Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi i Vetëvendosjes dhe Nait Hasani i PDK-së, nuk përjashtojnë mundësinë e shpërthimit të një konflikti në Luginë të Preshevës në qoftë se autoritetet serbe ndërmarrin hapa për heqjen e lapidarit të UÇPMB-së.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë se situata në Luginën e Preshevës mund të eskalojë në rast së preket lapidari i UÇPMB-së në Preshevë.
Ai ka shtuar se ata që e përjashtojnë luftën si mundësi për t’i mbrojtur shqiptarët, gabohen.
“Sulmi i Serbisë ndaj lapidarit është edhe sulm ndaj shqiptarëve. Nuk po them e as nuk po thërras për mobilizim, por po e tërheq vëmendjen se situata mund të eskalojë. Po them se lufta mund të ndodh”, ka thënë Selimi në Rubikon të KTV-së, transmeton Telegrafi.
Edhe deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka qenë në të njëjtën vijë me Selimin sa i përket lapidarit të UÇPMB-së.
Ai ka thënë se shqiptarët e Kosovës janë të gatshëm t’i mbrojnë shqiptarët në Luginën e Preshevës.
“Jemi të gatshëm t’i mbrojmë të drejtat e tyre edhe me luftë. Do të shkojmë t’i mbrojmë shqiptarët nëse preket lapidari”, ka thënë Hasani. /Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!