Sa na mbrojnë maskat? Studiuesit japonezë prezantojnë eksperimentin
Trupi dhe shëndeti

Sa na mbrojnë maskat? Studiuesit japonezë prezantojnë eksperimentin

29.Oct.2020 06:36
0

Studiuesit japonezë kanë konfirmuar se maskat mund të ofrojnë mbrojtje nga grimcat e ajrit që përmbajnë koronavirus, por efektiviteti i tyre ndryshon shumë. Virologët në Universitetin e Tokios thonë se rezultatet e tyre bazohen në eksperimente reale me koronavirus.

Në këtë laborator janë dy manekinë përballë njëri-tjetrit, njëri prej tyre është i pajisur me një pompë që injekton virusin,  shkruan VOA.

Studiuesi përdor kokën e manekinit për të simuluar kollitjen.

Manekini tjetër imiton frymëmarrjen duke thithur grimcat e virusit.

“Ne bëmë një simulim ku një person kollitet dhe shpërndan virusin ndërsa tjetri e thith atë,” shpjegon profesori i virologjisë Yoshihiro Kawaoka.

“Ne krahasuam tre lloje të ndryshme maskash: prej pambuku, kirurgjikale dhe maskën N95. Maska N95 ishte më e mira. E dyta është ajo kirurgjikale dhe e treta maska prej pambuku.”

Por profesori thotë se maskat nuk janë zgjidhja e përsosur.

“Nuk ka dyshim se maskat zvogëlojnë sasinë e virusit që hyn në trup, por nuk duhet ta mbivlerësojmë efektshmërinë e tyre,” shpjegon studiuesi.

Takemasa Sakaguchi, Profesor i Virologjisë në Universitetin Hiroshima analizoi rezultatet e studimit dhe thotë se ato janë interesante sepse përdorimi i koronavirusit të vërtetë në eksperimente është diçka e rrallë.

“Në eksperiment u përdor koronavirus i vërtetë. Unë shoh përpjekjen që ata bënë për të marrë rezultate sa më afër aktualitetit. Besoj se rezultati është shumë i ngjashëm me situatën reale“, tha profesor Sakaguchi.

Në rrugë të gjithë duket se mbajnë maska, por jo të gjithë janë të mbrojtur njëlloj.

Zhang Bohan, student kinez që mëson gjuhën japoneze thotë: “Tokioja ka rreth 200 raste të reja infeksioni çdo ditë, prandaj mendoj se të paktën në Tokio, ne duhet të mbajmë maskë.”

Shumë njerëz në Tokio mbanin maska edhe përpara pandemisë.

“Jam mësuar të mbaj maskë sepse kam kollën e mirë. E mbaj edhe për t’u mbrojtur nga gripi, sidomos në dimër. Gjatë verës është pak e vështirë sepse bën nxehtë, por gjithsesi nuk është problem të mbash një maskë“, thotë Megumi Mochizuki.

Studimi tregon se maskat ofrojnë shkallë të ndryshme mbrojtjeje dhe se do të ishte e gabuar që njerëzit ta mendojnë veten plotësisht të mbrojtur sa herë që vënë maskën.

Bernabiq i drejtohet Kamberit: Çfarë keni bërë ju për shqiptarët në Bujanoc dhe Preshevë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration