Lokale
Reagim: Seanca spekulative
Lidhur me seancën e Këshillit Drejtues të Ndërmarrjesë Publike të Radio Televizionit “Bujanoci”, të mbajtur, më 25 korrik dhe të bërë publik në disa portale informative.
Shkruan: Sevdail Hyseni
Jemi mësuar, deri tashti, përmes faqeve të portaleve informative dhe mediumeve të tjera elektronike, t’i përcjellim seancat e Asamblesë komunale dhe Këshillit Komunal, por jo edhe të Këshillave Drejtuese të Ndërmarrjeve Publike, të cilat në nivel komune janë me dhjetëra.
Po sikur të bëheshin publike seancat e këtyre këshillave drejtuese, zor se do t’i vinte radha kryetarit të komunës të prezantohet në mediume, me muaj të tërë.
Praktika e deritashme ka treguar se procesverbalet, raportet e këtyre seancave i dërgohen themeluesit për t’u njoftuar për gjendjen e këtyre ndërmarrjeve, e jo për t’i bërë ato publike për afera të ndryshme spektakulare.
Por, kryetari i Këshillit Drejtues të Ndërmarrjes Publike RTV “Bujanoci”, Nexhat Behluli, i përfshirë nga emocionet në një reagim të tij, pati deklaruar se së shpejti do të bëhet publike raporti i komisionit për keqmenaxhimin e kësaj ndërmarrjeje publike.
Për ta quar fjalën në vend z. Behluli, raportin e komisionit, ende pa u shqyrtuar e verifikuar nga themeluesi e resorët e tjerë përgjegjës në komunë e bënë publike ngase është i fjalës, ngase është i partis!!!
Ky komision dhe kryetari i KD-së, lëre që nuk pati durim të pres fjalën e themeluesit dhe organet kompetente për këto procese, por as nuk e ka parë të udhës të kontaktoj me ish drejtuesit e kësaj ndërmarrjeje për konsultime rreth këtyre mangësive.
Gjatë punës së këtij komisioni janë vërejtur mungesa të mëdha në inventarë, teknikë e deri te mungesa e një automjeti!
Për të gjitha këto janë ngritur edhe padi penale ndaj ish drejtuesve të këtij mediumi emrat e të cilëve jepen me iniciale: S.H. ish drejtor i N.P.Radio Televizioni i Bujanocit si dhe ndihmës në kryerjen dhe përfshirjen e veprës penale keqpërdorim dhe dëmtim të pronës shoqërore janë: R.M.S.-arkatare, S.I.-menaxher i marketingut, Z.R.-ish-kryeredaktor përgjegjës dhe N.M.- referent financiar- punëtor i kontabilitetit”.
Kështu dikur RTV “Spektri”, me në krye Nexhat Behlulin, jepte raportet e shërbimit të policisë dhe gjyqësisë me iniciale…
Nuk do të ulem për t’i komentuar dhe vlerësuar këto fakte e dëshmi të komisionit e të KD-së të NP RTV “Bujanoci”, por ajo që përmendet për një makinë e tipit LLada karavan, një gëzhojë (teneqe) e cila është dhënë për kompenzim në emër të riparimit të makinave “Jugo” dhe “Zastava” pronë të ndërmarrjes për ta liruar hapësirën për rregullimin e parkingjeve nga ana e Direkcionit për Ndërtim, është një spekulim i llojit të vetë.
Këto spekulime spektakulare, vazhdojnë edhe me disa nga “faktet” e tjera, të cilat do të zbardhen në gjyq e ngritësit e padive penale do të skuqen për ato që shpifin e gënjejnë në emër të një politike, maska e së cilës do të çirret në dëm të të dhënave të të një komisioni fantom.
Nexhat Behluli, kryetar i KD të NP RTV “Bujanoci”, Mikirem Ahmeti, kryeredaktor dhe Ruzhica Stankoviq, përfaqësuese e sindikatës të kësaj ndërmarrjeje, janë tre persona kyç për krijimin dhe lansimin e aferave spekulative të kësaj shtëpie informative. Ata në vend se të angazhohen për avancimin dhe afirmimin e skemës programore të këtij mediumi, ata merren me zbulim dhe kundërzbulim.
Këta persona në vend se të angazhohen për ta mbaruar ndonjë fakultet, trajnim profesional në fushën e gazetarisë nga e cila marrin paga me shkollim të mesëm, ata merren me të kaluarën e shtëpisë së vetë informative.
Këta persona në vend se të edukohen, emancipohen dhe avancohen profesionalisht, ata për poena të lirë politikë, zhyten në pellgun e një politike injorante e arrogante. Ata në vend se ta freskojnë shtëpinë e tyre me kuadro të reja profesionale, teknikë moderne dhe zgjerim të shikueshmërisë televizive, ata merren me etiketime, njollosje dhe largime nga pune, duke i qarë sendet e vjetra kinse të zhdukura para shumë vjetëve në emër të një hajnie sensacionale!.
Po e përmbylli këtë reagim me një varg të një kënge popullore: “Kur nis hajani me të kshillue, mshile derën pa u terrue”!
Sevdail Hyseni, ish drejtor i RTV “Bujanoci”
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!