Ragmi Mustafi reagon ndaj paralajmërimeve se Vulin bëhet ministër...?
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi ka reaguar pas paralajmërimeve se Aleksandar Vulin do të emërohet ministër i Brendshëm i Serbisë, duke thënë se një qeveri s’mund të quhet pro-evropiane nëse ministri i saj krenohet se fyen publikisht dhe ushqen diskurs shqiptarofob.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se ministrat e tillë vetëm dëshmojnë mungesën e kapaciteteve demokratike të Serbisë institucionale, si parakusht për bashkëpunim dhe avancim të të drejtave të pakicave kombëtare.
Kohëve të fundit deklaratat e politikës qendrore në Beograd janë bërë pjesë e përditshmërisë së diskursit politik shqiptarë në Luginë.
Postimi i plotë i Ragmi Mustafit:
Mandatarja për postin e kryeministres së Qeverisë së re të Serbisë, Ana Bërnabiq, paska propozuar Aleksandër Vulin për ministër të brendshëm.
Nuk mund të jetë pro-evropiane një qeveri që ministri i saj i policisë krenohet se fyen publikisht pakicat kombëtare dhe që ushqen vazhdimisht diskurs ksenofob e shqiptarofob.
Kjo nuk maskohet e zbukurohet me themelime të ministrive për të drejtat e njeriut, minoritete dhe dialog shoqëror.
Ministrat e tillë vetëm dëshmojnë mungesën e kapaciteteve demokratike të Serbisë institucionale, si parakusht për bashkëpunim dhe avancim të të drejtave të pakicave kombëtare.
Ky propozim për ministër të brendshëm vërteton konstatimin e Raportit të Progresit të BE për Serbinë lidhur me mungesën e respektimit të të drejtave themelore të të drejtave të njeriut e pakicave, shprehjes së lirë dhe sistemit “autokrat zgjedhor”.