Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit shtrin aktivitetin edhe në Austri
Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit ka hapur edhe një degë të re të veprimit në Austri ku edhe ka zgjedhur kryesinë me kryetar Xheladin Bajramin.
Drejtuesit e qendrave tjera që funksionojnë në Belgjikë, Gjermani, Maqedoni dhe Serbi ishin mbledhur për të përuruar këtë qendër të re.
Kryetari i Xhamisë Mesxhid el Resul në wells të Austrisë, Sadullah Fetahu tha se me këtë aktivitet po hapet një fije shprese për të varfrit e Komunës së Kumanovës, Likovës e Luginës së Preshevës.
Shqiprim Arifi, sekretari gjeneral i Qendrës së Solidaritetit dhe Avancimit sqaroi thelbin, filozofinë, misionin, vizionin e punës.
Airifi përgëzoi grupin iniciues duke i uruar suksese dhe bashkëpunim të afërt vëllazëror në të gjitha sferat e punës së QSA-së duke u mbështetur në transparencë dhe objektivizëm.
Lejlan Sadiku, kryetar i QSA-së me seli në Preshevë prezantoi në mënyrë të detajuar aktivitetet e realizuara gjatë vitit 2012 dhe 2013, duke theksuar përgjegjësinë që marrin mbi supe organizatorët.
“Gjendja e një familje të varfër që mashtronte fëmijët e saj me ujë në vend të qumështit ishte fillesa e ndryshimit pozitiv në Luginë të Preshevës. Programet e vazhdueshme si Bukë e Shpresë, së bashku në bankat e shkollës, shporta e Kurban e fitër Bajramit janë vetëm disa prej aktiviteteve të vazhdueshme që i bën qendra jonë në Luginë të Preshevës si dhe në Kumanovë e Komunë të Likovës”, tha Sadiku.
Disa detaje mbi procedurat për inicimin e projekt ideve të ndryshme, aplikimin me projekt propozime, si dhe implementimin e tyre u shpalosën nga Islam Aliji, kryetar i QSA-së në Gjermani.
Për te pranishmit u shtrua dhe darkë solemne, ku në një atmosferë të relaksuar u bisedua për detaje tjera.
Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit në Austri me seli në Wells ka zgjedhur për kryetar Xhleadin Bajramin, për nënkryetar Sefedin Fejzullahu, sekretar Isa Rexhepi, administrator Nexhat Ibrahimi, arkëtar Kabil Elezi, zëvendës arkëtar Seid Rahimi dhe anëtarë të kryesisë Uran Lecaj, Bejtush Tahiri, Ekrem Rexhepi, Sevdail Ramizi, Ibrahim Elezi, Avdil Avdili.
Drejtuesit e kësaj qendre të porsaformuar kanë vlerësuar se përmes QSA-së në Wells të Austrisë, bashkatdhetarëve në mbarë Austrinë iu mundësua krijimi i një mekanizmi efikas, i cili do të shërbejë si urë lidhëse me bashkëvendësit në Luginë të Preshevës, Kumanovë e Likovë.
Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit tashmë funksionon me qendrat e saj në Preshevë, Kumanovë, Belgjikë, Zvicër, Gjermani dhe së fundi në Austri./Titulli.com/