Qarkullimi i veturave nga Serbia për në Kosovë vazhdon me kontrolle të shtuara
Edhe pse është paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës se institucionet e Kosovës kanë vendosur që të ndalojnë hyrjen në territorin e shtetit të automjeteve me targa të Serbisë, sipas informatave nga terreni, qarkullimi i veturave po vazhdon. Megjithatë, të gjitha veturat me targa serbe që po hyjnë nga territori i Serbisë, po iu nënshtrohen kontrolleve të shtuara.
Më herët gjatë 14 qershorit, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i tha Radios Evropa e Lirë se pas ngjarjes që ndodhi të mërkurën në vijën kufitare me Serbinë, institucionet e Kosovës kanë vendosur që të rrisin nivelin e kontrolleve kufitare dhe të ndalojnë hyrjen e automjeteve me targa të Serbisë.
“Për arsye të sigurisë, institucionet kanë vendosur që të rrisin nivelin e kontrolleve kufitare. Andaj, si hap i menjëhershëm është vendosur që të ndalohet hyrja e automjeteve me targa të Serbisë në Republikën e Kosovës, teksa vazhdon analizimi i situatës nga institucionet e sigurisë. Veprimet e radhës do të merren bazë të rekomandimeve të institucioneve të rendit”, tha Kryeziu.
Policia e Kosovës tha se tre zyrtarët e saj, mesditën e së mërkurës, dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.
Vendi Tresave/Bare gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.
Në Beograd, zyrtarët thanë se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë, në komunën e Rashkës.
Krerët shtetërorë në Kosovë e kanë dënuar këtë veprim, të cilin e kanë cilësuar si "akt agresioni", duke kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të dënojë Serbinë dhe zyrtarët policorë të lirohen menjëherë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se policia serbe arrestoi tre policë të Kosovës 1.8 kilometra larg kufirit.
“Këta njerëz nuk kanë çfarë të kërkojnë në zonën Tresava-Batnjik pa miratimin e KFOR-it, sidomos me tyta të gjata”, tha Vuçiq në Radio televizionin e Serbisë (RTS).
Kjo ngjarje po ndodh në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur.
Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.