Prishtina akuzon Serbinë: Spastrim etnik i Luginës së Preshevës
Lokale

Prishtina akuzon Serbinë: Spastrim etnik i Luginës së Preshevës

06.Apr.2022 09:46
0

Prishtina zyrtare fajëson Serbinë se pjesëmarrja e ulët e shqiptarëve të Luginës në zgjedhjet serbe lidhet me pasivizimin e adresave të shqiptarëve në jug të Serbisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka kërkuar komunitetit ndërkombëtar që të reagojë ndaj Serbisë për shkak të “pasivizimit të adresave nga Serbia të shqiptarëve në Luginën e Preshëvës”, e cila pasoi me pjesëmarrje të ulët të shqiptarëve në zgjedhjet që u mbajtën të dielën në Serbi. Presidentja Osmani  tha se “komuniteti ndërkombëtar duhet të dënojë fytyrën e vërtetë të autoritarizmit të Serbisë”. "Sipas raportimeve, 6,000 shqiptarëve në Serbi i është mohuar e drejta e tyre themelore për të votuar, për shkak të fushatës së qëllimshme të spastrimit etnik përmes pasivizimit [v.j. të adresave të banimit] me mjete administrative”, tha Osmani në 1- vjetorin e punës së saj si presidente e Kosovës.

Politikanët shqiptarë në Luginën e Preshevës, më herët kanë thënë se ka vite që Serbia ka nisur pasivizimin e adresave të shqiptarëve që jetojnë në tri komunat jugore, në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, për të ndryshuar "strukturën etnike" të këtyre komunave.

Kurti: Padrejtësi e madhe

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehet në të njëtën linjë, duke thënë se “shqiptarëve në Luginën e Preshevës iu është bërë një padrejtësi e madhe dhe rezultati jo i mirë në zgjedhje mund të jetë ndikuar nga pasivizimi i mbi 6 mijë adresave”. "Shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc iu është bërë një padrejtësi e madhe meqenëse rreth 6 mijë vetave atje u janë pasivizuar adresat duke i diskriminuar mbi baza kombëtare. Po ndodh një lloj spastrimi etnik, administrativ e burokratik i heshtur e i ftohtë e megjithatë me pasoja shumë të rënda, dhe unë besoj që rezultati jo i kënaqshëm i këtyre zgjedhjeve për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc vjen edhe për shkak të këtij spastrimi të heshtur që po iu bëhet atyre atje me metoda joluftarake kësaj radhe, por administrative e burokratike”, u shpreh Kurti për mediet lokale. 

Von Cramon: Raportime, se shqiptarët po fshihen nga lista e votuesve në Serbi

EU-ParlamentViola von Cramo n Die Grünen

Viola von Cramon

Edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon  në reagimin e saj për zgjedhjet në Serbi, përmendi çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. "Zgjedhjet Serbe demonstruan zhvillime pozitive pasi një numër i konsiderueshëm i votuesve ishin të etur për të marrë pjesë. Serbia do të ketë sërish një Parlament pluralist dhe të larmishëm. Megjithatë, zgjedhjet në Serbi nuk ishin as të lira e as të drejta”, shkroi ajo ne Twitter. Sipas Cramon, pas raportimeve, se shqiptarët po fshihen nga lista e votuesve në Serbi, ajo tha se "raste të tilla të përfshihen në raportin paraprak të Misionit vëzhgues të zgjedhjeve, por edhe në deklaratën e PE-së”.

Selakoviq: von Cramon është mike e shqiptarëve

Beogradi zyrtar reagoi menjëherë pas deklaratës së raportueses për Kosovën në PE, Viola von Cramon. Ministri  jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviq, përmes një njoftimi për medie tha, se "Von Cramon është mike e shqiptarëve dhe s'është punë e saj mbështetja e përmbysjes së pushtetit në Serbi”. Ai u shpreh, se "nuk është puna e eurodeputetëve të mbështesin përmbysjen e qeverisë së një shteti sovran dhe të kufizojnë të drejtën e qytetarëve serbë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre politikë në procesin demokratik.” Citimin e ka bërë agjencia serbe Tanjug./DW/

Rregullat dhe dispozitat e agjërimit
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration