Lokale
Priboc: Policia i ndalon, komuna "intervenon" (foto)
“Takimi i vendlindjes-Priboci 2012” filloi me probleme. Sipas shoqatës së të shpërngulurve “Vatra”, qytetarët shqiptarë të Malësisë së Bujanocit me orë të tëra nuk janë lejuar të hyjnë nga Kosova në territorin e komunës së Bujanocit (Serbi)
Në reagimin që ka dërguar “Vatra” në adresë të Titullit thuhet se “policia serbe në pikën kontrolluese në Muhoc të komunës së Bujanocit një numër të caktuar të qytetarëve i ka lejuar të kalojnë kufirin, ndërsa një pjesë i ka kthyer me pretekstin se nuk kanë bërë pagesën e taksës kufitare dhe nuk kanë letërnjoftime të Serbisë”.
Sipas organizatës nga Gjilani, përfaqësuesit e të cilës sot ishin prezent në vend të ngjarjes, pas dy orë ndalese në këtë punkt, këmbëngulësia e qytetarëve dhe ndihmesa e komunës së Bujanocit ka bërë që këta qytetarë shqiptarë të lejohen të kalojnë kufirin.
“Ky ishte një maltretim në këtë vapë për fëmijët dhe gratë si dhe të gjithë pjesëmarrësit e takimit”, thuhet në reagimin e “Vatrës”.
Pas këtij incidenti gjithçka shkoi sipas planit të paraparë. Takimi i sivjetmë ishte i katërti me radhë.
Në këtë manifestim, u takuan farefisi, shokët dhe miqtë për të shuar mallin e vendlindjes, për të kujtuar vitet e largëta ku kanë jetuar ata, baballarët dhe stërgjyshërit e tyre, e posaçërisht për t’u njohur në mes veti gjeneratat e reja./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!