Prezantohet libri mbi marrëdhëniet diplomatike Shqipëri-Turqi në 100 vje
Rajoni dhe Politika

Prezantohet libri mbi marrëdhëniet diplomatike Shqipëri-Turqi në 100 vje

21.Dec.2023 08:17
0

Në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog në Kryeministrinë e Shqipërisë, Qendra e Studimeve Ballkanike dhe UNYT Press, pjesë e Universitetit të New Yorkut në Tiranë (UNYT), në bashkëpunim me Ambasadën turke në Tiranë, kanë prezantuar librin “100-vjet marrëdhënie diplomatike Shqipëri-Türkiye”, raporton Anadolu.

Në aktivitet ishin të pranishëm ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, drejtori i Përgjithshëm për Ballkanin dhe Evropën Qendrore pranë Ministrisë së Jashtme turke, İlhan Saygılı, drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar, koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Mustafa Ata, drejtori i Institutit "Yunus Emre" për Shqipërinë, Ömer Osman Demirbaş, përfaqësues të UNYT-së dhe studiues.

Ministri Hasani në fjalën e tij u shpreh se shpreson se libri do të jetë një pikë referimi për të gjithë ata që duan të studiojnë historinë e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

"Marrëdhëniet e shkëlqyera diplomatike mes nesh janë në fund të fundit një pasqyrim i marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve dhe dy kombeve tona në shumë fusha dhe sektorë, të cilat janë pasqyrim i miqësisë së vërtetë mes dy kombeve tona. Dhe ky është themeli mbi të cilin ne kemi krijuar bashkëpunimin e ngushtë mes nesh. Kjo u mbrojt zyrtarisht me nënshkrimin e Deklaratës së Përbashkët të Partneritetit Strategjik më 7 janar 2021, midis Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Recep Tayyip Erdoğan", tha Hasani.

Hasani theksoi se është vërtet një lajm i mirë për të gjithë që partneriteti strategjik mes dy vendeve nuk është vetëm në letër, por sipas tij është përkthyer në punë dhe arritje.

Duke vënë theksin në ndihmën e Türkiyes dhe angazhimin e Presidentit Erdoğan, për mbështetjen ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019 dhe gjatë pandemisë COVID-19, ministri Hasani shtoi se Türkiye ka dhënë kontribut real në përmirësimin dhe zhvillimin e infrastrukturës, energjisë, shëndetësisë, arsimit, bujqësisë dhe në shumë aspekte të tjera në Shqipëri, përfshirë edhe trashëgiminë kulturore.

Ndërkohë, Saygılı tha se viti 2023 ka qenë një vit i veçantë, si për Türkiyen ashtu edhe për Shqipërinë. "Këtë vit shumë aktivitete janë zhvilluar si në Türkiye ashtu edhe në Shqipëri për 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Türkiyes. Përmes këtyre ngjarjeve, ne së bashku me miqtë tanë shqiptarë, u përpoqëm të ndërgjegjësojmë publikun për historinë 100-vjeçare, se si dy republikat moderne ndërvepruan me njëra-tjetrën në ditët e mira dhe të këqija që nga viti 1923 e deri më sot. Në 100 vjet, miqësia jonë dypalëshe lulëzoi në çdo fushë", tha Saygılı.

Saygılı theksoi se marrëdhëniet midis Türkiyes dhe Shqipërisë u ngritën në nivelin e partneritetit strategjik dhe shtoi se miqësia dhe partneriteti strategjik mes dy vendeve përbëjnë një shembull të shkëlqyeshëm për dialogun dhe bashkëpunimin.

Saygılı tha se libri që u prezantua sot ka ardhur si rezultat i një përpjekjeje të zellshme për të festuar këtë përvjetor kuptimplotë dhe, sipas tij, libri mundëson gjithashtu që të mësohet më shumë për ambasadorët turq dhe shqiptarë, të cilët shërbyen në Tiranë dhe Ankara.

Ndërkaq, Özbaysar u shpreh se gjatë një shekulli bashkëpunimi mes dy vendeve ka qenë i thellë dhe i gjerë. "Ky rrugëtim historik i marrëdhënieve tona diplomatike simbolizon një trashëgimi bashkëpunimi, respekti të ndërsjellë dhe mbështetjeje të palëkundur", theksoi Özbaysar.

Prof. asoc. dr Lindita Xhanari Latifi nga Qendra e Studimeve Ballkanike pranë UNYT-së, duke folur në emër të autorëve të librit, tha se libri fokusohet në evidentimin e marrëdhënie me karakter ekonomik, social, ushtarak, kulturor e arsimor, duke nxjerrë në pah marrëveshje të veçanta e determinuese për rrugëtimin e përbashkët të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. "Shqipëria dhe Türkiye kanë ndarë përbashkësi kulturore dhe historike të theksuara. Dy vendet tona kanë një lidhje të thellë, të ndërtuar mbi respektin, bashkëpunimin dhe historinë e përbashkët. Sot Shqipëria dhe Türkiye vazhdojnë të forcojnë marrëdhëniet e tyre në shumë fusha", tha Latifi.

Një fjalë përshëndetëse mbajtën edhe rektori i UNYT-së, Ali Güneş dhe prefektja e Elbasanit, Majlinda Perriu.

Libri i përgatitur në shqip, turqisht dhe anglisht është botim i Qendrës së Studimeve Ballkanike të Universitetit të New Yorkut në Tiranë (UNYT), universitet i Fondacionit Turk Maarif dhe UNYT Press, në kuadër të 100-vjetorit të Republikës Turke dhe 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Türkiyes dhe ka si autorë Prof. asoc. Ilir Kalemaj, Stefan Vuçani, Prof. asoc. Lindita Xhanari Latifi dhe Msc. Muharrem Deliu.

Vodhi shtëpinë e Lampard dhe Ecclestone me vlerë 26 milionë paund, arrestohet në Beograd
Threads, tashmë i aksesueshëm edhe në vendet e Bashkimit Europian
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration