Preshevë: Ardita Sinani pret ambasadorin e OSBE-së në Serbi, Jan Braathu
Kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani ka pritur në takim sot Shefin e Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Serbi, Ambasadorin Jan Braathu.
Postimi i plotë i Ardita Sinani në Facebook:
Sot pata kënaqësinë të mirëpres Shefin e Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Serbi, Shkëlqesinë e Tij, Ambasadorin Jan Braathu.
Pas takimit që kishim në zyrën e Misionit të OSBE-së në Beograd, më 16 qershor të këtij viti, ku ngrita shqetësimet dhe problemet esenciale me të cilat përballen shqiptarët në Serbi, sot Ambasadori Braathu tregoj hapat e ndërmarrë nga Misioni që udhëheq për zgjidhjen e tyre.
Gjatë kësaj periudhe, Ambasadori Braathu ka zhvilluar takime me Ministra të Qeverisë, e në veçanti me Presidentin e Serbisë, z.Aleksandar Vuçiq.
Temat si: njohja e diplomave, integrimi i shqiptarëve në institucionet publike, tekstet në gjuhën shqipe dhe zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara e në veçanti ato të cilat garantuese ka qenë Misioni i OSBE, Ambasadori Braathu i kishte ngritur në takimin me Presidentin Vuçiq.
Theks të veçantë në atë takim, Ambasadori Braathu i kishte dhënë implementimit të Planit 7 pikësh, të nënshkruar dhe të miratuar nga Qeveria e Serbisë në mars të vitit 2013.
Shefi i Misionit të OSBE-së dëshmoi gatishmërinë se do të jetë monitoruesi kryesor i riaktualizimit dhe rifillimit të zgjidhjes së problemeve me të cilat përballen shqiptarët në Serbi.
Shpreha mirënjohjen time në emër të qytetarëve të Komunës së Preshevës, për angazhimin e Ambasadorit Braathu në funksion të rifillimit të dialogut të ngrirë në mes të përfaqësuesve legjitim të shqiptarëve në Luginë dhe të organeve qendrore të Republikës së Serbisë.