Lokale
"Policët e ardhshëm" të Luginës qëndruan në Sremska Kamenicë (video)
Kandidatët potencialë për policë në stacionet policore në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, përfunduan qëndrimin tre ditorë në qendrën studimore për trajnime policore në Sremska Kamenicë afër Novi Sadit.
Gjatë qëndrimit të tyre kandidatët e këtyre komunave shqiptare në Serbi për herë të parë iu nënshtruan testin në gjuhën shqipe falë realizimit të projektit “Mbështetja e inkuadrimit të pakicave nacionale në shërbimin policor”.
Ky projekt mundësoi që në kompjuterët e kësaj qendre të instalohen softuer të cilët përveç gjuhëve tjera të pakicave tani përmban edhe gjuhën shqipe.
Shefja e Misionit të OSBE në Serbi Pola Tidi, ndihmës ministri i punëve të brendshme Zhelko Kojiq dhe ndihmës ambasadori Gjermanisë Mihael Hasenau kanë nënshkruar në Sremska Kamenicë këtë donacion të cilin e ka ndarë OSBE dhe ambasada Gjermane.
Kandidatët e rinj shqiptarë nga Bujanoci dhe Presheva kanë thënë për RTB-në se me hyrjen në test në gjuhën amtare, shanset për tu pranuar janë shumë të mëdha.
Gjatë qëndrimit në Sremska Kamenicë, përveç testit kandidatët janë njohur edhe me kushtet si dhe mënyrën e funksionimit të kësaj qendre.
Pas testit “policët e ardhshëm” do ti nënshtrohen edhe një provimi pranues, para se të vazhdohet me ndjekjen e shkollës së policisë.
Numri i policëve shqiptarë në kuadër të stacionit policor në Bujanoc viteve të fundit është zvogëluar në raport me ata të nacionalitet serb.
Disa janë larguar nga puna me pretekst të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ndërsa një numër i vogël kanë lënë punën e policit për tu marrë me ndonjë profesion tjetër, apo për të migruar në shtetet e BE-së./Titulli.com/
Video e shkëputur nga edicioni i lajmeve të RTB-së
http://youtu.be/9n29Fp0v-as
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!