Lokale
PDK do t’i kthehet rrjedhave politike
Partia Demokratike Kombëtare, në Bujanoc, e cila, kohë më parë, pat shpallur moratorium, për shkak parcializimit deri në ekstremitet të skenës politike të Kosovës Lindore, heq dorë nga një vendim i tillë, për t’iu kthyer jetës politike në vend.
PDK, në kumtesën e bërë publike për mjetet e informimit, bënë me dije se ky subjekt politik, pas tejkalimit të moratoriumit, do t’i kthehet rrjedhave politike, në këtë rajon, e riorganizuar dhe e freskuar me një strukturë të re kadrovike dhe me një shtrirje partiake në gjithë hapësirat e Kosovës Lindore.
PDK, heq dorë nga moratoriumi me një varg arsyesh, pikërisht në momentin kur më shumë se kurrë skenës politike në Kosovën Lindore i duhet uniteti, bashkëveprimi dhe profesionalizmi.
PDK, gjithherë, në emër të unitetit dhe unifikimit të spektrit politik shqiptar në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ka ftuar publikisht për implementimin e vullnetit të popullit të shprehur me Referendumin e 1 dhe 2 Marsit 1992, pastaj ka kërkuar internacionalizimin e mëtejmë të Marrëveshjes Paqësore të Konçulit, demilitarizimit të plotë të Kosovës Lindore dhe kthimi i të të dëbuarve nga vatrat stërgjyshore dhe kompenzimi i dëmeve të luftës, krijimin e një Këshilli Kombëtar gjithëpërfshirës, mosparticipimin e shqiptarëve në Trupin Koordinues dhe zgjedhjet parlamentare të Serbisë, heqjen e taksave tatimore për kalimin e kufirit Kosovë-Serbi, heqja e kuotës për regjistrimin e studentëve në Kosovë dhe Shqipëri e kështu me radhë.
Të gjitha këto iniciativa të PDK-së, duke mos përjashtuar as Platformën politike në bisedimet e ardhshme shqiptaro-serbe, janë injoruar dhe heshtur për motive politike nga disa parti, të cilat orientimet programore i kanë koncentruar vetëm në realizimin e qeverisjes lokale në këto komuna të Kosovës Lindore.
PDK, i kthehet skenës politike, pikërisht në momentet vendimtare, në të cilën ndodhet vendi ynë dhe rajoni në përgjithësi, duke kërkuar nga anëtarësia e këtij subjekti politik dhe veprimtarët e tjerë, të cilët do t’ju bashkohen në rrugën e realizimit të veprimtarive me interes qytetar e kombëtar, pa përjashtuar as format e tjera të veprimit, të parapara edhe me konventat ndërkombëtare, thuhet mes tjerash në kumtesën e PDK-së, të nënshkruar nga lideri i saj, z. Nexhmedin Saqipi./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!