Nxënësit shqiptar më 1 shtator presin tekstet në gjuhën shqipe
Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, Katalogu e teksteve të miratuara në gjuhët e pakicave kombëtare për arsim fillor përmban 1.065 tituj të teksteve prej klasës së parë deri në të tetën "“ në gjuhën shqipe, boshnjake, bullgare, hungareze, rumune, ruse, sllovake, ukrainase, kroate, çeke dhe të folurit bunjevas. Në Katalogun e teksteve në gjuhët e pakicave kombëtare për arsim të mesëm gjenden 230 tituj "“ në gjuhën boshnjake, bullgare, hungareze, rumune, sllovake dhe kroate.Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq, më herët në pyetjen e deputetit Shaip Kamberi se kur nxënësit shqiptar prej klasës së parë deri në të katërtën do të fitojnë tekste falas, ka thënë se shteti do të jap gjithçka nga vetja që këtë t’a bëj deri më 1 shtator dhe ka shtuar se është vonuar edhe për librat në gjuhën kroate dhe bullgare.
Në lidhje me këtë temë, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve (KKSH) Galip Beqiri ka deklaruar se shpreson që premtimet e kryeministrit Vuçiq të realizohen deri në fillim të vitit shkollor.
Në pyetjen e gazetës beogradase ‘Politika’ se a ekzistojnë tekstet për të gjitha vitet dhe për të gjitha lëndët në gjuhën shqipe, ai është përgjigjur që shkolla fillore është mbuluar me 70 për qind, ndërsa në shkollat e mesme situata është e vështirë.
“Në shkollën fillore na mungon historia, gjeografia, arti, muzika dhe biologjia. Librat në përgjithësi janë përkthyer nga gjuha serbe, mirëpo ka edhe autor shqiptarë, si dhe disa tekste nga Shqipëria, të cilët kanë miratimin e Ministrisë së Arsimit. Në shkollën e mesme nuk ka asgjë, na mungojnë 252 tekste“, tha Beqiri, transmeton TK.
Ai gjithashtu ka deklaruar se në shkollat e mesme mësohet në bazë të fotokopjeve dhe nga shënimet, çka edhe e kanë vërtetuar arsimtarët në disa shkolla të Bujanocit.
Megjithatë, që nuk kanë marrë të gjitha librat miratim nga autoritetet i arsimit të Serbisë, dëshmon dhe rasti i fillimit të vitit shkollor, kur në shkollën fillore në fshatin Raincë, në komunën e Preshevës, janë konfiskuar 5.060 tekste në gjuhën shqipe, në bazë të urdhrit të Prokurorisë Themelore në Vranjë, pasi sipas zyrtarëve tekstet të cilët kanë arritur nga Kosova nuk kanë pasur dokumentacionin e nevojshëm.
Në planin strategjik të KKSH-së për periudhën nga viti 2012 deri 2016, është vlerësuar se problemi i mungesës së teksteve më së lehti do të zgjidhej me sjelljen e teksteve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, mirëpo zgjedhja mund të ishte edhe që të shtypen në Serbi.
Në Ministrinë e Arsimit thonë se në Republikën e Serbisë janë 76 shtëpi botuese të licencuara për tekste botuese në Republikën e Serbisë, të cilat financojnë vet tekstet botuese në të gjitha gjuhët në përputhshmëri me planin e tyre dhe kërkesat e tregut.
Ata shtojnë se puna rreth teksteve nuk është e thjeshtë dhe se procedura për miratimin e tyre është e ngadaltë, mund të zgjatë me vite. Çmimi i teksteve varet nga ajo se a është i ri, tirazhi i tij dhe se a është në shumë gjuhë./Titulli.com/