Nisë asfaltimi në Turi, udhëheqësia e kënaqur me punimet (foto)
Në fshatin Turi të komunës së Bujanocit, pas fazës së përgatitjes, sot ka nisur edhe faza finale, ajo për asfaltimin e rrugëve të fshatit.Asfalti ka filluar të shtrohet rrugës kryesore për të vazhduar më pas edhe nëpër rrugët dytësore të këtij vendbanimi shqiptarë.
Kryetari i Bashkësisë Lokale të fshatit Turi, Shefket Ibishi me këtë rast i ka thënë portalit informativ Titulli se tani jemi të kënaqur me punimet.
“Me marrëveshjen e re jemi të kënaqur edhe pse më herët pak ishim të zemëruar. Rruga tani është duke u punuar sipas marrëveshjes”, theksoi kryetari Ibishi, duke nënvizuar se tani kanë gjet gjuhë të përbashkët me kryetarin e komunës së Bujanocit Nagip Arifin dhe drejtorin e Drejtoratit për Ndërtim Agim Halitin.
Kryetari i komunës dhe drejtori i Drejtoratit për Ndërtim sot kanë qëndruar në fshatin Turi për të parë nga afër punimet për asfaltimin e rrugëve të këtij vendbanimi.
Më herët gjatë këtij muaji disa banorë të fshatit të përkrahur edhe nga kryetari i Bashkësisë Lokale të Turisë kishin penguar ndërmarrjen e rrugëve për vazhdimin e punimeve, pasi sipas tyre nuk po respektohej marrëveshja.
Ata pretendonin se po shtroheshin rrugët që nuk ishin paraparë më herët duke anashkaluar ato kryesoret. Pas negocimit erdhi deri te gjetja e një marrëveshje e cila tashmë kënaqë të dyja palët./Titulli.com/