Ngushëllime për Ali Podrimën nga Amerika
Presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Adnan Mehmeti përmes një telgrami ka shprehur ngushëllimet familjes së Ali Podrimës dhe dashamirëve të poezisë shqiptare.
Rrufeja godet në lisa të lartë. Kështu ndodhi edhe këtë verë të hidhur e të papritur, i madhi Ali Podrimja u largua me kurorat e nderit dhe të lavdiës për të lënë emrin dhe veprën në Atdhe, Shqipëri, si më të çmuarin trashëgim për brezat, Poezinë e tij, shpirtin e tij poetik.
Në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë si dhe në emrat tanë, ju shprehim ngushllimet më të sinqerta familjes së tij, gjithë të dashurëve dhe më tej:Të rroni ju dhe vepra e pavdekshme e të dashurit tuaj!
Është Poeti që kish kohë që e kish ngritur monumentin e nderit, për tu bërë udhërrefyesi i gjeneratave që vijnë dhe simbol i patriotizmit shqiptar.
Ali Podrimja e jetoi jetën në detin e trazuar të Kosovës për të mbërritur në ishullin më të bukur të Atdheut, Shqipëri, atë POETIK nga ku brezat do përkulen me nderim.Ai hyri në panteonin e të pavdekshmëve për të jetuar me brezat.
I pa harruar qoftë kujtimi i emrit dhe veprës së tij!
I qoftë dheu i lehtë!
Për Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.
Presidenti Kryetari
Adnan Mehmeti Dalan Luzaj