Lokale
Në “Sezai Surroi” nxënësit në top formë, sërish sulmojnë profesorët!
Ende pa kaluar mirë 24 orë nga incidenti i parë, sërish ka ndodhur një incident mes profesorit dhe nxënësve në shkollën e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc.
Në orët e paradites sot është sulmuar verbalisht, dhe më pas është tentuar edhe fizikisht të sulmohet profesori G.R. nga nxënësi i vitit të III-të.
Siç ka mësuar Portali Informativ Titulli, ngjarja ka ndodhur gjatë zhvillimit të procesit mësimor në njërën prej paraleleve të viteve të III-ta, që për redaksinë është e njohur, ku më pas ka ndërhyrë edhe udhëheqësia e shkollës.
Kjo është hera e dytë brenda 24 orëve që sulmohen mësimdhënësit e kësaj shkolle nga nxënësit e viteve të III-ta.
Sipas lajmërimit të lëshuar nga drejtori i këtij institucioni arsimor, dhe i cili lajmërim është lexuar sot edhe para nxënësve të kësaj shkolle, në incidentin e djeshëm (të enjten) ku viktimë ishte profesori B.S., janë marrë masat ndaj dy nxënësve të klasës III-10 me inicialet G.L. si dhe M.B.
Në njoftim thuhet se sipas dëshmisë së nxënësve të kësaj klase dhe arsimtarit me inicialet B.S, këta nxënës edhe më parë kanë pas gjeste të tilla të pengimit të mirëvajtjes së orës mësimore, sipas së cilës edhe kanë bërë shkelje të rëndë.
“Në bashkëpunim me ndihës drejtorin, kujdestarin e klasës, arsimtarin e lëndës, prindërit e nxënësve, psikologun e shkollës dhe në bazë të deklaratave me shkrim të nxënësve, u dakorduam që nxënësve të lartshënuar t’i hapet procedura për përjashtim, si masë preventive”, thuhet në këtë lajmërim të nënshkruar nga drejtori Zejni Fejzullahu.
Matej, njoftimi sqaron se në vazhdimësi nxënësit do të përcillen për vijimin dhe disiplinën e tyre deri në vendimin përfundimtar të organeve të shkollës./Titulli.com/
(Foto: ilustrim)
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!