Në takim me kryeministrin, rajoni me zyrtarë të ekonomisë, Lugina me politikan!
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa priti sot anëtarët e Dhomës Kombëtare Tregtare.Në këtë takim morën pjesë Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Biznesit, Ilir Zhila nga Unioni i Odave Ekonomike të Shqipërisë, Enver Ferizi nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, Menderes Kuqi nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veripërendimore, Nagip Arifi, kryetar i Bujanovcit, Ragmi Mustafa, kryetar i Preshevës, Jakup Gjelisheviqi nga Klubi i Afaristëve të Tivarit si dhe Selatin Gjeloshi nga Klubi i Biznesit nga Ana e Ulqinit.
Përfaqësuesit e bizneseve shprehën përkrahjen e tyre ndaj kryeministrit mbi fokusin e tij për agjendën qeverisëse, e cila ka për qëllim zhvillimin e sektorit privat.
Në të njëjtën kohë, ata shprehën shqetësimin e tyre mbi vështirësitë që sot bizneset ballafaqohen. Përfaqësuesit e bizneseve nga Shqipëria inkurajuan kryeministrin që politikat të implementohen në fuqizimin e sektorit prodhues dhe bujqësi, ata nga Mali i Zi dhe Maqedonia vlerësuan klimën pozitive të bashkëpunimit në mes të bizneseve të tyre me Kosovën, ndërsa përfaqësuesit e Luginës së Preshevës përmendën vështirësitë me të cilat ballafaqohen bizneset e këtij rajoni, njoftojnë mediat e Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa u shpreh falënderues ndaj përfaqësuesve të biznesit duke i inkurajuar ata që të rrisin bashkëpunimin. Ai theksoi se është me rëndësi që të identifikohen mënyrat për menaxhimin e problemeve që shfaqen ndërmjet bizneseve të këtyre rajoneve, duke i lehtësuar ato me rregullativa dhe ligje.
Gjithashtu theksoi përkushtimin e tij në përmirësimin e kushteve të jetesës për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Kryeministri ripërsëriti rëndësinë që aktiviteti ekonomik në vend të nxitet dhe zhvillohet nga sektori privat.
Është interesante se Lugina e Preshevës në këtë takim është përfaqësuar nga dy kryetarët e komunave Bujanoc e Preshevë, në një takim ku i tërë rajoni përfaqësohej nga zyrtarë të odave ekonomike, biznesit e afarizmit. /Titulli.com/