Lokale
Mustafa tregon “dhëmbët”, “në asnjë mënyrë nuk pajtohem që të hiqet lapidari”
Tensionet e krijuara rreth ndërtimit të pllakës përkujtimore të dëshmorëve të UÇPMB-së iu ka përgjigjur fortë edhe kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa
Në një lidhje telefonike për News24, kreu i Komunës së Preshevës Ragmi Mustafa është shprehur se nuk ka pasur një urdhër zyrtar për heqjen e kësaj përmendoreje të vendosur edhe me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Ndërsa, Mustafa i cilësoi deklaratat e Daçiqit antishqiptare, ai paralajmëroi se kryeministri serb mund të veprojë në mënyrë të njëanshme dhe të shkaktojë sërish probleme në Preshevë.
“Deklaratat e fundit të Daçiqit janë të orientuara kundër shqiptarëve njëlloj sikur në vitet 1990 që bëri pararendësi e tij. Duke u ballafaquar Daçiq me një varg problemesh social-ekonomik në Serbi dhe për të zhvendosur vëmendjen e elektoratit të tij nga kriza ekonomike që po kaplon Serbinë do të krijojë vatra të reja krize, siç bënë me Komunën e Preshevës”, ka thënë me këtë rast Mustafa, transmeton Titulli.
Ai ka shtuar se një lapidar në shenjë kujtimi ndaj ushtarëve të rënë është vendosur edhe me rastin e festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
“Padyshim që ne nuk do të pajtohemi në asnjë mënyrë që lapidari të largohet nga vendit i vendosur me mbështetjen e plotë të popullit të Luginës së Preshevës, mbështetjen e plotë të shoqatave të dalura nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, mbështetjen e plotë të institucioneve të pushtetit lokal, ku kam qenë prezentë dhe unë vetë. Autoritetet serbe, duke qenë edhe Daçiq kryeministër i Serbisë dhe duke llogaritur se ai mendon se Serbia është vetëm e tij ai mund të bëjë edhe veprime që nuk i shkojnë për shtat një stabiliteti në rajon dhe Luginën e Preshevës”,- deklaroi kreu i Komunës, Mustafa.
Përveç Kryeminisrit të Serbisë Ivica Daçiq, lidhur me ndërtimin e pllakës përkujtimore të 27 dëshmorëve të UÇPMB-së ka reaguar edhe Trupi Koordinues që vepron në këto tri komuna me shumicë shqiptare./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!