Mustafa: Qeveria e Shqipërisë konkretisht shton angazhimin për Luginën
Kryetari i KKSH-së, Ragmi Mustafa në një postim në facebook ka uruar vendimin e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për mbështetjen financiar për libra në gjuhën shqipe në Luginë të Preshevës.
Ndër të tjera në postimin Mustafa falënderon qeverinë shqiptare në emrër të KKSH-së dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës duke treguar edhe punën intensive që ka pasur me ministren e Arsimit të Shqipërisë, Besa Shahini për çështjen e teksteve shkollore në gjuhën shqipe pa harruar edhe Hapësirën për Qendrën Kulturore Multidimensionale, shkruan Titulli.com.
“Qeveria e shqipërisë konkretisht shton angazhimin për Luginën. Sot, Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë ka vendosur dhënien e një mbështetjeje shtesë financiare për Këshillin Kombëtar në Serbi me qëllim blerjen e teksteve shkollore. Ky vendim është në funksion të rritjes së edukimit në përgjithësi dhe ruajtjes së identitetit kombëtar në veçanti. Pas angazhimit të drejtpërdrejtë në një platformë sistematike e programatike për avancimin e pozitës së shqiptarëve në Luginë të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme z. Genc Cakaj si dhe Ministres së Arsimit znj.Besa Shahini për zgjidhjen e çështjes së teksteve mësimore për nxënësit e shkollave në gjuhën shqipe. Po ashtu pas vendimit për financimin e rregullt të Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe pas vendimit për financimin e Hapësirës për Qendrën Kulturore Multidimensionale. Ky është një vendim i radhës konkret që po bën Qeveria e Republikës së Shqipërisë për Luginën e Preshevës, duke dëshmuar kështu përkushtimin dhe gatishmërinë e shtetit shqiptar për dinamizimin e përkujdesjes së saj për Luginën e Preshevës. Në emrin tim personal dhe në emër të Këshillit Kombëtar Shqiptar që përfaqëson institucionalisht shqiptarët në Serbi, shpreh mirënjohjen time të thellë për taksapaguesit e shtetit shqiptar, Ministrin Gent Cakaj, Ministren Besa Shahini dhe kabinetin qeveritar, të drejtuar nga z.Edi Rama” – shkruan Ragmi Mustafa, shkruan Titulli.com.
Ndërkaq lajmin për mbështetjen financiare nga Shqipëria drejtuar KKSH-së me qëllim blerjen e librave në gjuhën shqipe në një postim e ka bërë ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj. Cakaj shkruan se mbështetja shkon për ruajtjen e identitetit kombëtarë.
“Edhe një informacion tepër i vyer e shumë domethënës për Shqipërinë dhe shqiptarët. Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë sot ka vendosur dhënien e një mbështetjeje shtesë financiare për Keshillin Kombëtar i Shqiptarëve në Serbi me qëllim blerjen e teksteve shkollore. Ky vendim i shërben nxënësve shqiptarë që ndjekin procesin mësimor në institucionet e sistemit parauniversitar në tre komuna: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Ky vendim është në funksion të rritjes së edukimit në përgjithësi dhe ruajtjes së identitetit kombëtar në veçanti. Shqipëria mbetet e përkushtuar për rritjen e kujdesit për të gjithë shqiptarët në rajon dhe diasporë në përgjithësi” – shkruan ministri shqiptar Gent Cakaj raporton Titulli.com