Mustafa e Musliu: Vuçiq tregoi se na urren "“ duam bashkim me Kosovën
Dy liderët e Luginës së Preshevës, kryetar i Preshevës, Ragmi Mustafa dhe ai i Kuvendit në Bujanoc Jonuz Musliu e kanë vlerësuar historike dhe shumë të rëndësishem vizitën atje gjatë ditës të kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Duke folur në Interaktiv të KTV-së ata kanë thënë se kjo tregon përkujdesjen që shteti shqiptar ka ndaj shqiptarëve atje. Kryetari i Preshevës, Mustafa e ka vlerësuar skandal diplomatik sjelljen e kryeministrit serb para atij shqiptar kur i është përmendur Kosova.
“Ai (Vuçiq) tregoi se na urren shqiptarëve edhe këtu në Preshevë. Ne nuk do të ndalemi duke kërkuar me mënyra demokratike realizimin e kërkesave tona legjitime që ka të bëjë me bashkimin me Republikën e Kosovës”, ka thënë Mustafa.
Në linjë të njëjtë ka qenë edhe kryetari i Kuvendit Komunal.
“Adresat e vetme për ne janë Tirana dhe Prishtina. Nuk kemi çka kërkojmë tek Vuçiqi dhe Beogradi. Ai tregoi hapur në konferencë urrejtjen ndaj shqiptarëve. Ne do të punojmë për realizimin e asaj për çka ka luftuar UÇPMB-ja – bashkimin me Kosovën”, ka thënë Jonuzi.
Duke folur për ndihmën prej 100.000 eurove për Maternietin e Preshevës, kryetari Mustafa ka thënë se transferi ka zgjatur 4 muaj për shkak të procedurave dhe për faktin që 50.000 eurot e Kosovës është dashur të shkojnë fillimisht në Tiranë e pastaj në Bankën Popullore të Serbisë dhe në konton e Komunës së Preshevës.
Të dy kryetarët kanë kërkuar angazhim më të madh nga Prishtina për shqiptarët e Luginës./Titulli.com/