Lokale
Majko: Kujdes me Serbinë, edhe Lugina në tryezë
“Është fat për Prishtinën që në Serbi qeverisin fytyra jo simpatike për perëndimin, çfarë ishte politika e Tadiqit, por njerëz të cilët kanë ngjallur dyshime serioze lidhur me të ardhmen e Serbisë në Bashkimin Evropian".
Kështu ka vlerësuar në një intervistë për “Radio Dukagjinin”, ish-kryeministri i Shqipërisë dhe deputeti i PS-së, Pandeli Majko.
Ai nuk sheh asgjë të keqe nga dialogu me Serbinë, por thotë se varet se çfarë interesash ka pala që e ke përballë.
Serbia, thotë Majko, do të ulet në bisedime politike me Kosovën në kushtet kur më kushtetutën e saj Kosovën e ka krahinë të veten.
Majko nuk pret që brenda një afati të shkurtër, apo siç thotë, brenda një mandati qeveritarë do të zgjidhet gjithçka që nuk funksionon mes Serbisë dhe Kosovës.
Me serbët, sipas tij duhet të ketë negociata shumë të kujdesshme dhe aspak të shpejtuara.
Majko në këtë dialog e sheh të domosdoshëm parimin e paritetit. Nëse bisedohet për statusin e serbëve në veri, duhet bisedohet edhe për atë të shqiptarëve në Luginë.
“Nëse lihet një anë çështja e shqiptarëve në Luginë, atëherë sigurisht që pala serbe do të vijë në tryezë me një lloj subvencionimi që sigurisht do ta vinte Prishtinën zyrtare në një lloj vështirësie të natyrshme. Për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, e drejta e Prishtinës për të negociuar prevalon, vendoset mbi të drejtën e Tiranës zyrtare. Nuk ka të drejtë Tirana zyrtare të hyjë në negociata me Beogradin zyrtar për çështjen e shqiptarëve të Preshevës. Kjo është çështje që ka të bëjë me kufirin midis Kosovës dhe Serbisë".
Me Serbët, thotë Majko, do të ketë negociata të gjata në kohë për problemet mbi njëqind vjeçare mes shqiptarëve dhe serbëve.
Duke komentuar kërkesat serbe që për çështjen shqiptaro – serbe të diskutojë me Tiranën, Majko tha se në këtë mënyrë Beogradi dëshiron ta anashkalojë Kosovën, që në thelb shkon në mosnjohjen e shtetit të Kosovës.
Për Majkon është e rëndësishme të thuhet se me kërkesën e Serbisë, çështja e shpalljes së pavarësisë së Kosovës ka shkuar në GJND dhe është marr përgjigja.
“Tanimë Serbia dhe Beogradi zyrtar kërkon të negocioj në tavolinën politike diçka që e ka humbur në gjykatë. Cilido që ka pas çështje në gjykatë e di se çështjet e humbura në gjykatë nuk mund të negociohen në tavolina kafenesh”, tha Majko për “Radio Dukagjini”.
Duke folur për nevojën e unifikimit të spektrit politik kosovar në këto bisedime, Majko nuk sheh ndarje thelbësore mes qeverisë dhe opozitës. Ajo që vërehet si ndarje është ana procedurale.
“Në thelb mendoj se kërkesa për një negociatë politike, normalisht cilindo do ta binte në një lloj pozite të shqetësuar. Në fund të fundit, qeveria në bazë të Kushtetutës ka të drejtë që të negocioj me cilindo qeveri të një shteti tjetër. Kërkesa për të pasur koncenzus të gjerë, sigurisht nge pikëpyetje të natyrave jo-kushtetuese, por të një natyre krejtësisht tjetër”, tha Majko.
“Askush sot nuk mund t’i vërë limite negociatës midis Prishtinës dhe Beogradit,por , askush sot nuk mund të ketë të drejtën t’i kërkoj opozitës në Kosovë koncenzuse të një natyre që nënkuptojnë diçka jashtë një kornize të caktuar kushtetuese apo të nënkuptuar si diçka e jashtëzakonshme do të ndodh në negociatat midis Prishtinës dhe Beogradit.
Majko nuk beson në nevojën e një koncenzusi të jashtëzakonshëm meqë dialogu nuk është diçka e jashtëzakonshme.
Sipas tij, Kosova nuk merr frymë me oksigjenin e Beogradit. Kosova nuk ekziston sepse dikush e lejon apo nuk e lejon këtë në Beograd. Kosova është njohur nga fuqitë më të mëdha dhe kuptohet si realitet edhe nga të tjerët që ende nuk e kanë njohur. Kosova ka marr zgjidhjen historike me shpalljen e pavarësisë dhe mendimin e GJND-së./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!