Kuvendi në Bujanoc letër institucioneve për përdorimin e gjuhës dhe shkrimit shqip
Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Enver Ramadani përmes një postimi në Facebook thotë se ka kërkuar nga organet shtetërore të shtrira në këtë rajon ta rrespektojnë përdorimin e gjuhës dhe shkrimit shqip.
Postimi në Facebook i Enver Ramadanit:
Kuvendi Komunal, i ka dërguar shkresa zyrtare të gjitha institucioneve shtetërore që kanë degët apo filialet e tyre në Bujanoc dhe Enteve Publike,themelues i të cilave është kuvendi, me të cilat ka kërkuar informacione lidhur me përdorimin e dygjuhësisë në punën e tyre dhe komunikimin me palët në procedurë.
Kjo shkresë është dërguar duke pasur parasysh rëndësinë e realizimit të kësaj të drejte për shqiptarët, pasi që kemi pengesa të shumta në këtë drejtim.
Me Ligjin mbi Përdorimin Zyrtar të Gjuhëve dhe Shkrimeve, më saktësisht nenin 1, pikën 3 të këtij ligji ku parashihet se “Në rajonet e Republikës së Serbisë, ku jetojnë anëtarët e pakicave kombëtare janë në përdorim zyrtar në të njejtën kohë me gjuhën serbe edhe gjuhët dhe shkrimet e pakicave kombëtare.”
Edhe me Statutin e Komunës së Bujanocit e edhe me Vendimin e Kuvendit Komunal të Bujanocit mbi Përdorimin Zyrtar të Gjuhëve në Komunën e Bujanocit të miratuar në korrik të vitit 2014, parashihet se gjuha shqipe është në përdorim të barabartë zyrtar me gjuhën serbe.
Andaj, të gjithë qytetarët e komunës sonë, duhet ta kërkojnë këtë të drejtë, të garantuar me ligjet dhe aktet tjera në fuqi.