Lokale
Kuvendi legalizon pllakën përkujtimore të UÇPMB-së
Në seancën e jashtëzakonshme e cila sapo përfundoi, Kuvendi Komunal i Preshevës unanimisht votoi pro legalizimit të pllakës përkujtimore të UÇPMB-së e vendosur në afërsi të godinës së administratës komunale.
Vendimi në fjalë u votua unanimisht nga 38 këshilltarët e Kuvendit të Preshevës, ndërkohë që nuk kishte të përmbajtur e as kundër këtij vendimi.
Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, me këtë rast u ka thënë mediave se me këtë veprim është përmbyllur çështja mjaftë e përfolur e lapidarit të Dëshmorëve të UÇPMB-së.
Mustafa, ka pranuar të mos ketë pas dokumentacion përcjellës deri më tani për Përmendoren e Dëshmorëve të UÇPMB-së, ndërkohë që sipas tij vendimet e sotme institucionale, do të ndikojnë që kjo çështje e cila ka preokupuar jo vetëm Luginën por edhe tërë rajonin dhe komunitetin ndërkombëtarë, të tejkalohet.
Ndërsa sipas Mustafës, autoriteteve të Serbisë nuk do t`i mbetet hapësirë që të veprojnë siç është shprehur, “në bazë të ligjit, në bazë të kushtetutës, por do të mund të veprojnë dhe reagojnë në bazë të sjelljes së një politike për të cilin ata e vlerësojnë se si duhet të veprojnë”, ka thënë Ragmi Mustafa.
Kjo seancë pasoi pas një takimi në mes të liderëve të Luginës, që u mbajt gjatë ditës së sotme në Preshevë.
Të rikujtojmë se në mesnatë ka kaluar afati të cilin ministria serbe e drejtësisë ua kishte dhënë autoriteteve në Preshevë që ta largojnë lapidarin e UÇPMB-së.
Në këtë njoftim të ministrisë po ashtu thuhet se inspeksioni do të sjellë Vendimet rreth procedurave të Zgjidhjes, e cila do të definoj qartë procedurat dhe afatet ligjore për largimin e lapidarit.
“Me të përfunduar afati ligjor, do të veprohet sipas Vendimit dhe do të largohet lapidari i vendosur ilegalisht, me ndihmën e organeve përgjegjëse për punë të brendshme në rast së kjo është e nevojshme”, ka thënë me këtë rast Ministri i Drejtësisë Nikolla Selakoviq. /Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!