Kryetari i Preshevës, Arifi thirrje Qeverisë së Kosovës: Me Amerikë nuk ka lojë
Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të “mos i rrezikojë raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Një ditë më parë, SHBA-ja njoftoi se ka vendosur ta sanksionojë Kosovën për insistimin e Qeverisë për t’i vendosur kryetarët e komunave në veri në ndërtesat komunale, për çka ka nxitur trazira nga serbët lokalë. Vendimi i parë ishte për ta përjashtuar Kosovën nga stërvitja e madhe ushtarake “Defender Europe 2023”, ka bërë të ditur ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.
Teksa ka dënuar dhunën nga bandat serbe në veri, Arifi i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të mos rrezikojë raportet me SHBA-në, duke thënë se “me Amerikë s’ka lojë”.
“Është e rëndësishme dhe jetike që të kemi një Republikë të Kosovës, e cila ka një sovranitet të shtrirë në gjithë territorin e saj, por kjo arrihet vetëm me sinkronizim dhe koordinim me aleatët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Interesi kombëtar shqiptar vihet në rrezik nëse acarohen marrëdhëniet e Qeverisë së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-në. Ftojmë Qeverinë e Kosovës që me përkushtimin më të thellë të ruajë marrëdhëniet e ndërtuara me dekada me miqtë tanë ndërkombëtarë. Popullizmi dhe ideologjia farsë sjellin përkohësisht ndoshta vota, ndërsa pason me rrënimin e vlerave dhe parimeve demokratike. Pra me një fjalë: me Amerikë s’ka lojë”, ka deklaruar ai në një video të postuar në Facebook.