Lokale
“Kryetari i Facebook-ut” nuk prononcohet për Titullin
Ish kryetari i komunës së Bujanocit Shaip Kamberi, i cili edhe më tej në Facebook nuk e lëshon postin e të parit të komunës, nuk prononcohet për portalin Titulli.com
Kamberi nuk pëlqen të flasë me gazetaret e Titullit për të shpjeguar shumë akuza të cilat i drejtohen pozitës dhe anasjelltas, edhe pse si njeri me funksion publikë ka në obligim të tillë ndaj qytetarëve të komunës së Bujanocit.
Dy gazetaret e Titullit, tre herë, në ditë të ndryshme, kërkuan kryetarin e degës së Partisë për Veprim Demokratik në Bujanoc Shaip Kamberin, i cili përmes personelit në zyrën e këtij subjekti kishte njoftuar se nuk jep deklarata për këtë portal shqiptar.
“Kryetari ka thonë se nuk jep prononcim për juve”, i tha të tre herë gazetareve personeli në këtë zyre.
Redaksia e Titullit i kujton ish kryetarit, i cili shumë mirë njeh rregullat dhe etikën e gazetarisë, që mos të bëjë diferencime në mesin e gazetarëve, pasi portali Titulli.com nuk është parti politike për të bërë koalicion me te.
Vlen theksuar se përveç Ragmi Mustafës nga PVD i cili kryesisht ka qenë i hapur me gazetarë, shumë zyrtarë të tjerë të këtij subjekti kanë refuzuar ose me vështirësi i kanë dhënë informata të cilat kanë qenë me interes për publikun.
Refuzimi i Kamberit nuk donë të thotë se Titulli nuk do të kërkojë prononcim prej tij, përkundrazi, do të insistojë që të marrë informatat të cilat i interesojnë masës së gjërë/Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!