Katër shenja paralajmëruese të arrestit kardiak që mund të ndodhin 24 orë më herët
Arrestet kardiake janë një nga urgjencat mjekësore më vdekjeprurëse që mund të pësoni. Ato ndodhin kur zemra juaj ndalon së rrahuri.
Ndryshe nga sulmet në zemër – kur rrjedhja e gjakut në organe ndërpritet – arrestet kardiake shkaktohen nga ritmet jonormale të zemrës kur sistemi elektrik i trupit nuk funksionon siç duhet.
Personi do të vdesë brenda pak minutash nëse nuk trajtohet menjëherë me CPR. Megjithatë, ka disa shenja që mund t’i dalloni përpara se të ndodhë.
“Simptomat paralajmëruese premtojnë për parashikimin e arrestit të papritur kardiak”, ka thënë Dr. Kyndaron Reinier i Sistemit Shëndetësor Cedars-Sinai në Los Angeles.
Rreth gjysma e pacientëve kanë simptoma në “orët, ditët ose javët para arrestit kardiak” – ka sqaruar tutje.
Studimi i saj, i botuar në Lancet, shikoi se sa të zakonshme ishin simptomat në pacientët me arrest kardiak dhe një grup kontrolli të pacientëve pa arrest kardiak, të cilët gjithashtu thirrën ndihmën e shpejtë.
Studiuesit hulumtuan më shumë se 1.500 të rritur në SHBA për të shikuar nëse ndonjëri mund të tregonte ndonjë shenjë.
Frymëzënia
Shenja më e zakonshme e hershme e arrestit kardiak ishte frymëzënia – e njohur në mjekësi si dispnea.
Rreth 41 për qind e pacientëve e kishin këtë shenjë, krahasuar me 22 për qind të grupit të kontrollit.
Ishte e vetmja shenjë e lidhur dukshëm me arrestet kardiake, si te meshkujt ashtu edhe te femrat – thanë studiuesit.
Dhimbje gjoksi
Dhimbja në gjoks ishte shenja e dytë më e shpeshtë, e cila preku rreth një të tretën e pacientëve, krahasuar me një të katërtën e grupit të kontrollit.
Sidoqoftë, dhimbja në gjoks ishte e lidhur ndjeshëm vetëm me arrestet kardiake te meshkujt, jo te femrat – transmeton The Sun.
Djersitja
Diaforeza – ose djersitja e tepërt – gjithashtu preku më shumë pacientë me arrest kardiak sesa urgjencat e tjera.
Rreth 12 për qind kishin simptoma, krahasuar me 8 për qind në grupin e kontrollit. Gjithashtu, u shoqërua ndjeshëm vetëm te meshkujt, jo te femrat.
Konvulsionet
Aktiviteti i ngjashëm me konvulsionet ishte gjithashtu më i zakonshëm te pacientët me arrest kardiak sesa te grupi i kontrollit. 11 për qind kishin simptoma, krahasuar me 7 për qind.
Të përzierat ose të vjellat, dobësia, marramendja dhe simptomat e barkut, ishin më të zakonshme në grupin e kontrolli.