Kamberi: Ministri politizoi të drejtat e fëmijëve të Luginës
Vizita e sotme e Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik të Serbisë, Sërgjan Verbiq në Bujanoc, nga iniciuesi i pajisjes falas me tekste shkollore të filloristëve shqiptarë, vlerësohet i realizuar në mënyrë gjysmake.
Deputeti popullor Shaip Kamberi thekson se problemi edhe matej mbetet i pazgjidhur, përderisa vizita e ministrit është shfrytëzuar për marketing.
Ai në një prononcim për portalin informativ Titulli tha se deputetët nuk kanë qenë të njoftuar me ate se çka do të sjellë ministri. Deputeti dyshon se disa tekste të siguruara janë jashtë përdorimit.
“Nuk e kanë sjellë Abetaren e Shqipërisë që e ka leju Ministria por ate të Naile Imamit. Ministri ka politizuar të drejtat e fëmijëve me një spektakël me të cilën deshi të tregojë se shteti kujdeset për pakicat, a në esencë nuk i ka përmbushë kërkesat tona”, deklaroi Kamberi.
Duhet theksuar qëndrimi i ministrit në jug të vendit për të ndarë tekste shkollore falas, erdhi pas iniciativës të nisur nga deputeti Kamberi në Parlamentin e Serbisë në Beograd, megjithatë Verbiq nuk ka njoftuar e as takuar dy deputetët shqiptarë nga Lugina, përveç që këtë vizitë e ka shfrytëzuar për takim me udhëheqësitë e institucioneve lokale.
“Se spektakli është metodë e vazhdueshme e veprimit të Serbisë ndaj shqiptarëve këtë e kanë vërtetuar arrestimet e shumta spektakolare, prandaj edhe ky i sotit i ministrit të arsimit dhe shkencës nuk është kurrëfarë risie, por, pse pjesë e këtij spektakli u bënë pushtetarët tanë, ata që ftuan në protestë, këtë se kam të qartë. Apo ndoshta i ka obliguar koalicioni që kanë me partinë e kryeministrit dhe zv/kryeministrit serb”, shkruan në rrjetin social Facebook deputeti nga Tërnoci i komunës së Bujanocit.
Përndryshe, ministri Verbiq sot bëri ndarjen e disa teksteve shkollore në Bujanoc, ndërsa në Luginë kishte sjellë 2.400 tekste në gjuhën shqipe.
Trupi Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, sikurse vitin e kaluar edhe këtë vit disa nxënësve i dhuroi çanta e pajisje shkollore.
Vlen theksuar se ministri Verbiq gjatë qëndrimit në shkollën fillore “Naim Frashëri” nuk mundi të jap shifra të sakta të teksteve të ndara, ndërsa prindërit thanë se Serbia nuk ka përmbush obligimet ndaj nxënësve shqiptarë, edhe pse një ditë më parë këtë e deklaroi kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq./Titulli.com/