Kamberi: Lleshi nuk luftoi që gratë shqiptare t'i fshin vendbanimet serbe (video)
Lokale

Kamberi: Lleshi nuk luftoi që gratë shqiptare t'i fshin vendbanimet serbe (video)

23.Oct.2014 19:53
0
Lista "Koalicioni për të drejtat e shqiptarëve" i përbërë nga Partia për Veprim Demokratik (PVD) dhe Unioni Demokratik Shqiptar (UDSH) ka përmbyllën fushatën elektorale me tubimet e fundit të mbajtura të enjten në Preshevë e Bujanoc për zgjedhjet e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), që do të mbahen të dielën e 26 tetorit.

Kryetari i degës së PVD-së dhe deputeti Shaip Kamberi, përveç që ka radhitur të arriturat e KKSH-së ka thënë se pjesëtarët e partisë së tij patën guxim, ide dhe vizion edhe atëherë kur partitë e tjera këtë institucion e quanin antishqiptar, ndërsa tani janë në garë të gjithë, që sipas tij në aspektin politik është një njohje e vizionit politik të PVD-së dhe UDSH-së.

Ai tha se politika revanshiste që po udhëhiqet ndaj shqiptarëve, posaçërisht në Bujanoc, nuk guxon të bartet edhe në Këshillin Kombëtar.

“Politika e standardeve të dyfishta nuk guxon të bartet edhe në Këshillin Nacional, sepse pasojë e kësaj politike janë dhjetëra shqiptarë të përjashtuar nga puna, që maltretohen në vendet e tyre të punës, janë disa gra që dërgohen me i fshi vendbanimet serbe nga një drejtorë i cili me krenarinë e vet, besojë e ulët, jam bashkëpunëtori dhe shoku i idealit i Komandant Lleshit. Unë i them jo, Komandant Lleshi nuk ka luftu që gratë shqiptare me i fshi vendbanimet serbe”, tha Kamberi.

“Në politikën manipulative që e udhëheqin subjektet e caktuara në Luginë të Preshevës e që seriozisht kanë dëmtu të ardhmen tonë, shenjat vërehen edhe tash. Vërehen shenjat se njeriu kur nuk ka virtytet e veta, vlerat e veta, mandej mburret me paraardhësit e vet, edhe paraardhësit që si ka paraardhës. Mburrja kryesore na del dje si margaritar se jam nipi i Lam Breznicës. Unë them Lam Breznica po të ishte gjallë, sepse e kam takuar disa herë, nuk do ta kishte pranuar për nip njeriun i cili Mira Markoviqin e ka shpallur qytetare nderi”, u shpreh në këtë tribunë përmbyllëse, Kamberi.

Ai duke u ndalur tek Lam Breznicës, anëtarët e familjes të cilët e kishin kontaktuar deputetin, tha:  “Një orë më parë familjarët e ngushtë të Lam Breznicës më porositën që opinionit t’ia bëjë me dije një çështje, ata që po thirren në emër të Lam Breznicës, le ta dinë se Lam Breznica i ka tetë nipa dhe mbesa me fakultet dhe gjashtë prej tyre janë në botën e jashtme, sepse nuk i kanë bë vend me punu. Kjo është filozofia mashtruese që po na imponohet me radhë, nga lapidari, zgjedhjet parlamentare, prej fillimit të sistemit shumë partiak”.

Deputeti dhe kryetari i Partisë për Veprim Demokratik Riza Halimi, ka vënë në dyshim doktoraturën e kryetarëve të komunave Preshevë e Bujanoc, duke e quajtur manipulim.

“Në Serbi po bëhen debate për këtë punë, derisa ministrave po i kontestohen diplomat, këtu po heshtin njerëzit, a e dinë se doktoratura është në Universitetin e Novi Pazarit që s’ka akreditim. Ku kanë shpallë punime shkencore këta dy zotni për me ardh te doktoratura. Doktori i shkencave duhet me pas punime shkencore, revista shkencore, pjesëmarrja në konferenca shkencore e institucione, nëse s’ke marrë pjesë në to, atëherë nga doli doktoratura. Vetëm mbetet me u ble dhe s’ka tjetër”, u shpreh Halimi.

Ai gjithashtu tha se “është boll dhe është tepër nëse edhe në Këshillë Nacional do të hyjë me dy këmbë manipulimi, që janë me të madhe duke e përdorë në pushtetin lokal të Preshevës e të Bujanocit”.

Ndërsa, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, në tubimin e mbajtur në Bujanoc, Galip Beqiri, ka pohuar se ka ngecje të zbatimit të dygjuhësisë në shumë institucione e organizata.

“Në gjykata në polici, në ndërmarrjet publike ku shqipja është zero, në Bujanoc poashtu edhe në Preshevë, drejtorët shqiptarë, sekretarët organizatave publike shqiptare, drejtorët e shkollave shqiptarë, hala sot shkruhet edhe merren vendime në gjuhën serbe”, tha Beqiri.

“Krejt këto janë problematika që i zgjedhë dhe mundohet t’i zgjedhë KKSH. Ne nuk kemi bërë mrekulli por kemi punuar, kemi punuar me përkushtim të madh”. U shpreh kryetari i Këshillit.

Ai tha se 3-4 ditët e fundit anëtarët e PVD-së frikojnë të vijnë në tubim për shkak të kërcënimeve se do të largohen nga puna. “Këto dukuri nuk janë normale dhe duhet t’i ndalim”, u shpreh Beqiri.

Partneri i koalicionit, kryetari i UDSH-së, Rahmi Zulfiu, u ndal tek zbatimi i gjuhës dhe shkrimit shqip në institucionet komunale, doku i porositur zyrtarët e këtyre institucioneve që të zbatojnë këtë të drejtë të shqiptarëve të cilën e garantojnë edhe Kushtetuta dhe Ligji i Serbisë.

“Ata le të urdhërojnë atë gjuhë shqipe e cila është e garantuar edhe me Kushtetutë edhe me Ligj të Serbisë, le ta aplikojnë në dokumentet që i lëshojnë në pushtetet lokale”, tha Zulfiu.

Ardita Sinani, kandidate për Këshilltare në Këshillin Kombëtar nga lista “Koalicioni për të drejtat e shqiptarëve”, tha se vota është e shenjt siç është i shenjt edhe votuesi.

“Do t’i mbrojmë nga oligarkët, nga disa pseudopatriot të cilët me komoditetin e krijuar nga pushtetet lokale manipulojnë me votuesit. Patriotizëm është të përballesh me sfida gjatë gjithë kohës, të veprosh kur të tjerët nuk guxojnë”, u shpreh para simpatizantëve kandidatja Ardita Sinani.

Ajo tha se u dëshmua që koalicioni i tyre kishte të drejtë, andaj më 26 tetor të rrethohet numrin 3.

Tubimet e sotme të koalicionit PVD-UDSH, të mbajtura në Preshevë dhe Bujanoc, ishin të fundit. Nga mesnata Lugina do të jetë në heshtje parazgjedhore./Titulli.com/ 

 

Program parazgjedhor

 

 

Britania e Madhe përkrah zgjedhjet në Luginë dhe dialogun Beograd-Prishtinë (video)
Mustafa: Do të mbrojmë dhe ruajmë flamurin kombëtarë (video)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration