Zanier prezantoi fjalorin shqip-serbisht për shkollat shqipe në Luginë të Preshevës (video)
Komisioneri i lartë për pakica pranë OSBE-së, Lamberto Zanier mori pjesë në shkollën fillore "Naim Frashëri" në Bujanoc në promovimin e fjalorit "Fjalor i Vogël" shqip-serbisht e anasjelltas që do të shërbej për nxënësit e shkollave fillore në Luginë të Preshevës.Zanier theksoi se mësimi i më shumë gjuhëve është në avantazhin e secilit prej nesh andaj ky fjalor do të jetë një ndihmës i mire i mësimit të gjuhës shqipe dhe asaj serbe.
“Ky fjalor do t’u shërbej nxënësve të shkollave fillore si në mënyrën e shtypur ku secila paralele do ta ketë nga një fjalor po ashtu edhe online përmes telefonave do të kenë mundësi ta shfrytëzojnë atë”, tha ai.
Kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi e falënderoi komisionerin Zanier për realizimin e këtij projekti në të cilin kanë marrë pjesë profesionist nga Shqipëria si dhe profesor Nehat Aliu nga Bujanoci.
Kamberi theksoi se ky fjalor i quajtur fjalor i vogël e që në fakt nuk është edhe aq i vogël do ti shërbej nxënësve në mësimin e të dy gjuhëve.
Gjatë promovimit u bë edhe prezantimi i funksionimit të fjalorit online dhe formës elektronike me mundësitë ndryshme si dhe ilustrime dhe përkthime.
Në këtë promovim morën pjesë edhe zëvendës i shefit të misionit të OSBE-së në Serbi dhe përfaqësues të Trupit Koordinues për Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë./Titulli.com/