Thaçi: Shqiptarët e Luginës të marrin pjesë në zgjedhje
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të marrin pjesë në zgjedhjet e Serbisë, në mënyrë që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.
“Ftoj qytetarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc që të participojnë në jetën demokratike, të participojnë në proceset elektorale dhe t`i zgjedhin njerëzit e tyre për t`i përfaqësuar”, ka thënë ai.
Kryeministri Thaçi, ka përsëritur se Serbia nuk mund të organizojë zgjedhje në Kosovë. Ai, ka bërë të ditur se e drejta e votës nuk mund t’u mohohet qytetarëve që kanë dy shtetësi, e të cilëve do t’u mundësohet votimi përmes pikave grumbulluese që do të organizojë OSBE-ja.
“Me kushtetutë dhe ligjet e Kosovës qytetarët e Kosovës e kanë të drejtën e dy shtetësisë dhe kjo e drejt duhet të respektohet për të gjithë pa dallim. Serbia nuk mund të organizojë zgjedhje në Kosovë”, është shprehur Thaçi./Titulli.com/