Të akuzuarit për sulmet në Dobrosin mohojnë akuzat
[caption id="attachment_62558" align="alignleft" width="300"] Gjykata themelore, Gjilan[/caption]
Në Gjykatën Themelore në Gjilan të hënën ka nisur procesi gjyqësor ndaj grupit të njohur si “Lëvizja e lirisë”. Gjykatësi Akadeusz Sedek u ka lexuar aktakuzën derisa të gjithë të akuzuarit thanë se janë të pafajshëm.
Në Gjykatën Themelore në Gjilan EULEX-i ka nisur procesin gjyqësor ndaj grupit të njohur si “Lëvizja e lirisë” të gjithë të akuzuar për sulmet e ndodhura më 17 maj 2012, 28 qershor dhe 7 tetor 2012 në punktin policor në Dobrosin.
Në bankën e të akuzuarve sipas aktakuzës që e ka ngritur prokurori i EULEX-it Maurizio Salustro janë ulur: Valon Jashari , Skender Jashari ,Gazmend Lakna, Gazmend Xhemshiri, Qendrim Rexhaj, Muhamed Aliu, Skender Selmani, Enver Musolli, Abdullah Zogaj dhe Jeton Shabani.
Kryetari i trupit gjykues Akadeusz Sedek u ka lexuar pikë për pikë aktakuzën të gjithë të akuzuarve dhe ka kërkuar prej tyre që të deklarohen rreth tyre. Të gjithë të akuzuarit e kanë mohuar veprën dhe thanë se janë të pafajshëm.”Zoti gjykatës nuk jemi as terrorist dhe as kidnapues dhe nuk kemi vepra penale të mëparshme” tha Skënder Jashari, transmeton rajonipress.
Avokatët mbrojtës Halit Azemi dhe Shemsedin Piraj nuk janë pajtuar me veprat e akuzës dhe kanë kërkuar që tu ndërpritet paraburgimit të gjithë të akuzuarve. Halit Azemi tha se kjo aktakuzë është utopike dhe abstrakte.
“Ju po mbani në burg njerëz të cilët po akuzohen me mesazhe dhe me prova të paqëndrueshme . Në këtë aktakuzë s`ka asgjë konkrete, sepse bazohet vetëm në sms dhe thashetheme. Kurrë s`kam parë këso aktakuze së cilës i mungojnë provat dhe elementet. S`ka asnjë dëshmi , asnjë gjurmë e as dëshmitarë dhe gjithçka është shkruar në kohën e papërcaktuar, armët e papërcaktuara “tha avokati Azemi.
Avokati tjetër Shemsedin Piraj ka kërkuar nga trupi gjykues që klientit të tij Gazmend Laknës t`i ndërpritet paraburgimi , por trupi gjykues mori vendim që të gjithë të akuzuarve tu vazhdohet paraburgimi. Seanca e radhës është caktuar për datën 15 prill 2013.
Ndryshe prokurori i EULEX-it Maurizio Salustro ka ngritur aktakuzë kundër Valon Jasharit, Skender Jasharit, Gazmend Lakna, Gazmend Xhemshiri, Qendrim Rexhaj, Muhamed Aliu, Skender Selmani, Enver Musolli, Abdullah Zogaj dhe Jeton Shabani. Ky grup i njohur si “Lëvizja e lirisë” dyshohet se ka marrë pjesë në sulmet në punktin Dobrosin të Bujanocit më 17 maj 2012, 28 qershor dhe 7 tetor 2012 thuhet në aktakuzë.
Aktakuza i ngarkon këta nëntë persona për veprat penale të terrorizmit, organizimi i grupeve terroriste , pjesëmarrja në grupe terroriste dhe mbajtja e paautorizuar e armëve.
Aktakuza saktëson se tek ky grup janë gjetur dëshmi e prova përmes përgjimeve telefonike, fotografi e gjësende tjera që lidhen me aktivitetet e këtij grupi.
Sipas aktakuzës më 17 maj 2012 një postbllok policor në Dobrosin të Bujanocit është gjuajtur me armë zjarri dhe dy sulme tjera më 28 qershor dhe 7 tetor 2012. Përgjegjësia për këto tri sulme është pranuar nga grupi i quajtur si “Lëvizja e lirisë” përmes tri komunikatave të publikuara në faqe të ndryshme të internetit thuhet në aktakuzë. /Titulli.com/