Shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe kombëtare në Serbi
Lokale

Shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe kombëtare në Serbi

29.Aug.2024 20:18
0

Sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2022, shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe kombëtare në Serbi, me më shumë se 61.000 qytetarë.

Shumica e tyre jeton në komunat në jug të Serbisë - Preshevë dhe Bujanoc.

 

Numri i të punësuarve nga pakica kombëtare shqiptare në organet shtetërore dhe komunale, si dhe në ndërmarrjet publike në ato komuna, sipas të dhënave të disponueshme, është në shpërputhje me numrin e banorëve që deklarohen si shqiptarë.

 

Përfaqësimi në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë

Sipas të dhënave nga Plani i Veprimit, në të cilin REL-i kishte qasje, nga gjithsej 800 anëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të Serbisë në tri komunat në jug, 233 vijnë nga komuniteti shqiptar.

 

Këto janë të dhënat që disponon Këshilli Kombëtar i Pakicës Kombëtare Shqiptare. Të dhënat nga MPB-ja për nacionalitetin e të punësuarve në tri komunat nuk janë të disponueshme.

Deri në publikimin e këtij artikulli, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it për numrin e të punësuarve nga pakica kombëtare shqiptare dhe përfaqësimin e tyre në atë organ shtetëror.

“Përbërja multietnike e policisë mund të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme për zhvillimin e komunikimit dhe ndërtimin e besimit midis policisë dhe qytetarëve, e veçanërisht për përmirësimin e punës së policisë me grupet e pakicave dhe të margjinalizuara”, thotë për Radion Evropa e Lirë Maja Bjellosh, studiuese e lartë në Qendrën joqeveritare të Beogradit për Politikë të Sigurisë.

Megjithatë, shton ajo, në situatën aktuale në Serbi, përfaqësimi më i madh i shqiptarëve në polici nuk do të çonte domosdoshmërisht në përmirësimin e situatës së sigurisë në jug.

“Numri më i madh i shqiptarëve në forcat policore nuk do të mund të ndikonte në uljen e tensioneve në mjediset multietnike, përderisa zyrtarët e Serbisë dhe të Kosovës vazhdojnë të nxisin urrejtje kombëtare dhe fetare, si dhe të shkaktojnë incidente të sigurisë”, vlerëson Bjellosh.

Përfaqësimi në gjykata dhe prokurori

Përfaqësim jo të barabartë të shqiptarëve ka edhe në organet e drejtësisë.

Radio Evropa e Lirë dërgoi pyetje në adresat e dhjetë gjykatave dhe prokurorive përgjegjëse për komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Sipas të dhënave nga përgjigjet, janë vetëm dy organe gjyqësore që punësojnë pjesëtarë të pakicës kombëtare shqiptare.

Bëhet fjalë për Gjykatën Themelore në Bujanoc, e cila është përgjegjëse edhe për komunën e Preshevës, dhe Prokurorinë Themelore Publike në Vranjë, e cila është përgjegjëse për komunën e Bujanocit dhe atë të Preshevës.

 

Ku ngeci miratimi dhe zbatimi i Planit të Veprimit?

Trupi Koordinues, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve dhe Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave e Serbisë punuan në hartimin e Planit të Veprimit dy vjet më parë, me ndërmjetësimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Mitroviq, drejtor i Trupit Koordinues Qeveritar për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, thotë se diskutimet për Planin e Veprimit me Këshillin Kombëtar të Pakicës Kombëtare Shqiptare “nuk kanë përfunduar ende”.

“Ne presim qëndrimin e Ministrisë kompetente për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave lidhur me vazhdimin e dialogut dhe, rrjedhimisht, aktivitetet e mëtutjeshme lidhur me procesin e integrimit të pjesëtarëve të pakicës kombëtare shqiptare në institucionet shtetërore”, thotë Mitroviq.

 

Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it se kur pritet vazhdimi i dialogut dhe miratimi i Planit të Veprimit.

Integrimi i shqiptarëve në institucionet e Serbisë është pjesë e obligimeve të Serbisë në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në Raportin e Komisionit Evropian për progresin e Serbisë në vitin 2023 thuhet se “me gjithë detyrimin ligjor për ta marrë parasysh përbërjen etnike të popullsisë, pakicat kombëtare janë ende të nënpërfaqësuara në administratën shtetërore”.

Çfarë nënkupton Plani prej shtatë pikash?

Plani me të cilin kanë dalë përfaqësuesit e komunitetit shqiptar, me qëllim të përmirësimit të të drejtave të tyre, është miratuar nga Qeveria e Serbisë në vitin 2013.

Ai parasheh integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore, zhvillimin ekonomik të komunave të Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës, sigurinë e zonës, të drejtën e përdorimit zyrtar të gjuhës, alfabetit dhe simboleve kombëtare, decentralizimin e gjyqësorit, si dhe përmirësimin e të drejtave të shqiptarëve në fushën e arsimit, kulturës dhe informimit, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale./REL/

Integrimi i shqiptarëve në institucionet e Serbisë: Një kërkesë e vjetër mbi një dekadë
Reduktohet prania e KFOR-it në urën e Ibrit
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration