Shtëpia e shëndetit Bujanoc, tetë ditë afat ta kthejë drejtorin e shkarkuar
Gjykata e Lartë në Vranjë, duke vepruar si gjykatë e shkallës së parë, ka aprovuar aktgjykimin me të cilën obligon Komunën e Bujanocit që dr. Burhan Halili ta kthejë në detyrën e drejtorit të shtëpisë së shëndetit.
“Me Aktgjykimin e vet, Gjykata shpall të pavlefshëm dhe antiligjorë Vendimin e Kuvendit Komunal të Bujanocit, të datës 02.07.2012, me të cilin ky Kuvend ka shkarkuar nga posti i drejtorit dr. Burhan Halilin, duke e cilësuar si antiligjorë”, thuhet në kumtesën e lëshuar nga Partia për Veprim Demokratik në Bujanoc, e cila ka bashkangjitur edhe kopjen e vendimit të gjykatës.
Sipas PVD-së, vendimi i fundit i Gjykatës së lartë është njëri ndër shumë vendime me të cilat në proces gjyqësorë po vërtetohet veprimi antiligjorë i pushtetit lokal në Bujanoc, të cilët duke vepruar në interes të grupacioneve dhe klaneve të caktuara, kanë dëmtuar komunën dhe buxhetin e saj, transmeton Titulli.com.
Ky subjekt politik thekson se për shkak të vendimeve antiligjore, komuna, me vendimin e sipërpërmendur, obligohet që dr. Burhan Halilit, vetëm në emër të shpenzimeve gjyqësore, t’i paguajë 167.250 dinarë.
Vendimi i gjykatës, gjithashtu kërkon nga shtëpia e shëndetit, që në një afat prej tetë ditësh, nga marrja e aktvendimit, ta kthejë në vendin e punës së drejtorit, doktorin e shkarkuar para gati tre viteve.
Vlen theksuar se dr. Burhan Halili nga posti i drejtorit ishte shkarkuar më 2 korrik të vitit 2012 dhe në vend të tij ishte vendosur Nebojsha Stojanoviq, si ushtrues detyre i drejtorit për një kohë prej gjashtë muajsh.
Pas Stojanoviqit, në postin e drejtorit, në dhjetor të vitit 2012, Kuvendi Komunal i Bujanocit emëroi Llella Jovanoviq, e cila edhe sot vazhdon ta drejtojë shtëpinë e shëndetit në Bujanoc. /Titulli.com/